Nëse autoritetet dëshirojnë të rinisë Serie A, trajneri italian ka një kusht
Serie A është pezulluar prej disa javësh dhe ende nuk dihet se kur do të rinisë nëse do të rinis, pasi ekziston mundësia e "djegies" së kampionatit.

Trajneri italian i Lecces, Fabio Liverani, beson se të gjitha skuadrat duhet të bëjnë teste për koronavirus nëse autoritetet dëshirojnë ta rinisin kampionatin në Serie A, në mënyrë që të mos përhapet edhe më shumë në mes futbollistëve ky virus.

Sezoni në Serie A u suspendua kur skuadra e Lecces ishte në pozitën e 18-të në tabelën e Serisë A, prapa Genoas shkaku i dallimit në gola. Trajneri thotë se skuadra e tij do të jetë e gatshme si të gjitha klubet e tjeraa kur Federata e Futbollit e Italisë vendos ta rinisë kampionatin

"Ne do të jemi gati, si të gjithë të tjerët, edhe nëse nuk do të na jepen dy javë për t’u stërvitur para se të rinisë kampionati, pas një ndërprerje kaq të gjatë. Po afrohet nxehtësia e verës dhe ka shumë pasiguri lidhur me rrjedhën e kampionatit", ka thënë Liverani.

"Unë do të propozoja që, para se ta nisim sërish kampionatin, të gjithë të testohemi për koronavirus. Unë nuk dua të përfshihem në debatat kontroverse, por në Lecce, si në disa qytete të tjera, nuk janë bërë teste. Rregullat e ndalojnë këtë".

"Për të mirën e të gjithëve, ne duhet të sigurohemi që askush në ligë të mos jetë i prekur nga koronavirusi. Për ta mbrojtur shëndetin tonë, por edhe për të mos pasur nevojë sërish të ndalemi pasi që nuk kemi edhe shumë kohë".

Klubet janë duke e pasur të vështirë t’i përballojnë pagat e mëdha dhe humbjet financiare gjatë kësaj krizë dhe Liverani pajtohet që të gjithë duhet të bashkëpunojnë për të dalë nga situata aktuale.

"Secili nga ne duhet ta bëjë pjesën e vet në këtë moment delikat, kështu që unë nuk po u frikësohem sakrificave që bëhen për shkak të dëmeve financiare. Megjithatë, duhet të kemi kujdes t’i mbrojmë profesionistët nga ligat më të ulëta pasi që përfitimet janë të vogla aty", shtoi Liverani.
Shtuar më 28/03/2020, ora 19:08
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori