Neuer: Kam frikë Drogbanë
Portieri i Bayern Munchen, Manuel Neuer i druhet vetëm një kundërshtari të shtunën: ai është Didier Drogba. Sipas portierit gjerman, nëse 4 herë kampionët e Evropës dëshirojnë të ngrenë trofeun në "Allianz-Arena" më 19 maj, atëherë duhet të ndalin sulmuesin nga Bregu i Fildishtë, sepse ai është rreziku potencial i anglezëve.

Blutë e Londrës e siguruan një biletë në finalen e Champions-it pasi barazuan me Barcelonën 2-2 në "Camp Nou" ndërsa në "Stamford Bridge" kishin fituar 1-0, por numri një i bavarezëve nuk beson se Roberto Di Matteo do të luajë në mbrojtje këtë finale.

"Taktikisht, Chelsea është një skuadër shumë e fortë dhe këtë e treguan në të dyja ndeshjet ndaj Barcelonës. Unë nuk mendoj se ata do të luajnë në mbrojtje përballë nesh. Nuk mund të them se do luajnë gjithë kohën në sulm, por do të tentojnë të dalin shpejt përpara, sa herë që t’u jepet mundësia”, deklaroi ish-portieri i Schalke 04.

Me Badstuber të pezulluar dhe me Van Buyten të dëmtuar, Neuer pret që Drogba t’i hapë shumë telashe mbrojtjes bavareze, ashtu siç ndodhi edhe me katalanasit në 180 minuta.

"Është një nga sulmuesit më të fortë në botë. E kemi parë këtë sezon se sa i rrezikshëm ka qenë. Ai duhet ndalur me patjetër, në rast se duam që të mos na ndëshkojë", deklaroi Manuel Neuer. /albeu.com/
Shtuar më 17/05/2012, ora 11:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori