Neuer vendos dorën në "zjarr": Gjermania do jetë patjetër në Evropian
Kapiteni i Kombëtares së Gjermanisë, Manuel Neuer, ishte ai që u paraqit përballë mediave nga grumbullimi i "Pancerave", përpara të cilave pranoi se ndoshta priste shumë më shumë në rendiment, nga ajo çfarë përfaqësuesja kishte treguar në këto eliminatore.

Ndoshta procesi i rinovimit të Gjermanisë kërkon ende pak kohë, ndonëse portieri i Bayern Munchen garanton se ai dhe shokët e tij do të jenë pa dyshim protagonistë në Europianin e verës së ardhshme dhe, mbi të gjitha, se ndaj Bjellorusisë të shtunën dhe Irlandës së Veriut më datë 19 nëntor skuadra e Joachim Low nuk do të bëjë blofe.

Çfarë prisni nga këto dy ndeshje të fundit eliminatore?

Duam patjetër të marrim gjashtë pikë. Gjermania nuk luan kurrë për një rezultat tjetër përveç fitores. Skuadra duhet t’i marrë seriozisht dy takimet e ardhshme dhe përveç rezultatit të bëjë edhe një lojë të bukur.

Do të jeni ju sërish titullari në këto dy sfida?

Është trajneri ai që vendos. Detyra ime është t’i përgatis ndeshjet gjithmonë sikur të jem në formacionin e parë.

Si mund ta cilësoni këtë vit diellor që është pranë mbylljes?

Ishte një vit pozitiv. Megjithëse kishim disa ndryshime në formacion, mundëm të përshtateshim mirë me risitë e grupit, edhe pse më duhet të pranoj se nuk jemi brenda premisave tona. Gjithsesi, panorama është e mirë, rruga që kemi ndjekur është pa dyshim e duhura dhe kemi ende dy ndeshje në dispozicion për të treguar se nuk jemi rastësisht këtu.

Do të jetë Gjermania një prej skuadrave finaliste në Europian?

Kualifikimi varet vetëm nga ne. Me dy fitore do të ishim në një pozicion të mirë. Nuk e diskutojmë kualifikimin në Europian. Puna jonë në këto dy vite pas Botërorit ka qenë e madhe. Tani është koha që ta tregojmë edhe në fushën e lojës.
Shtuar më 14/11/2019, ora 15:26
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori