Neymar arrin peshën ideale
Neymar tani peshon ekzaktësisht 66.5 kilogramë, një e dhënë që ndoshta nuk tregon shumë, por që në fakt përbën lajm për stafin teknik, mjekët dhe përgatitësit e Barcelonës, duke marrë parasysh se çfarë është thënë në muajt e fundit për brazilianin. Kur mbërriti dhe u prezantua më 3 Qershor në "Camp Nou", klubi blaugrana zyrtarisht bëri të ditur peshën e tij, që ishte 64.5 kilogramë.

Duke patur parasysh gjatësinë 1.75 metra, mjekët e Barçës arritën në konkluzionin se Neymar duhet të shtonte të paktën 2-3 kile që të ishte në peshën ideale.

Situata u bë edhe më alarmante pas operacionit në bajame në Rio de Janeiro më 5 Korrik, kur doli edhe lajmi se Neymar, i cili i kushtoi arkës së Barcelonës 57 milionë euro, vuante nga anemia. Një gjë të tillë e mohoi klubi, por jo plotësisht i ati i tij, i cili konfirmoi se lojtari kishte sasi më të ulët se normalja të hekurit në gjak, duke e justifikuar me lodhjen fizike të javëve të fundit.

Turi gjatë verës në Azi, i shoqëruar me temperatura të larta, lagështi dhe shumë udhëtime nuk ishte pozitiv për gjendjen e Neymar, por situata ndryshoi menjëherë me rikthimin në shtëpinë e Barcelonës, ku nisi trajtimi me vitamina dhe një dietë e kontrolluar për ta çuar peshën e tij aty ku duhej dhe rezultati është arritur.

Neymar tashmë ka peshën ideale dhe te blaugranat mund të jenë të qetë për këtë. /albeu.com/
Shtuar më 04/09/2013, ora 11:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori