Neymar: Doja të luaja por klubi kishte frikë
Sulmuesi brazilian i PSG, Neymar Jr ka folur për situatën e javëve të fundit ku ka qëndruar jashtë fushës, kjo sipas tij sepse klubi kishte frikë.

28-vjeçari Neymar nuk ishte pjesë e skuadrës së Paris Saint-Germainit në tri ndeshjet e fundit të Ligue 1 për shkak të një lëndimi dhe ai ishte në dyshim edhe për ndeshjen e së martës kundër Dortmundit në Gjermanisë, për 1/8 e finales së Ligës së Kampionëve.

Megjithatë, Neymari e nisi nga minuta e parë këtë ndeshje kundër Dortmundin dhe shënoi në pjesën e dytë, por nuk arriti t’i ndihmojë skuadrës së tij ta shmangë disfatën me rezultat 2:1.

Pasi kishte qenë jashtë fushës së lojës duke u rikuperuar, braziliani ka bërë të ditur se ai ka qenë i gatshëm të luajë që një kohë, mirëpo Paris Saint-Germaini ka preferuar të mos e rrezikojë atë.

"Nuk ishte zgjedhja ime të mos luaj në ndeshjet e fundit. Unë dëshiroja të luaja, ndihesha mirë. Klubi frikësohej dhe unë pësova nga kjo", ka thënë Neymari.

Ky sezon, ashtu si i kaluari, ka qenë i dëmtuar nga lëndimet e shumta për Neymarin, i cili e kishte pësuar një lëndim muskulor në tetor dhe i kishte humbur gjashtë ndeshje të tjera.

Kthimi i brazilianin në formë ka ardhur në kohën e duhur pasi që tani PSG-ja duhet ta përmbysë rezultatin në ndeshjen kthyese kundër Dortmundin në Parc des Princes, për t’iu shmangur një eliminimi në këtë fazë për të tretin vit radhazi.
Shtuar më 19/02/2020, ora 09:35
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori