Neymar hedh për herë të tretë në gjyq Barcelonën
Mediat spanjolle raportojnë se Neymar e ka paditur ish-klubin e tij, Barcelonën, për herë të tretë në gjyq.

Këtë herë, braziliani shpreson se klubi katalanas do t’ia paguajë 6.5 milionë euro, sipas kontratave që e dërguan atë në Barcelonë nga Santosi.

Fakti që Neymar nuk luan më për Barcelonën nuk i ka dhënë fund rrëmujës së krijuar nga transferimi i tij nga Santosi në Barcelonë në vitin 2013.

Shtatë vjet pas atij transferimi, ka ende probleme të pazgjidhura.

Pas padisë së fundit të Neymarit, shuma totale që lojtari po i kërkon ish-klubit të tij ka arritur në 38.6 milionë euro.

Megjithatë, klubi nuk e ka në plan t’i bëjë këtë pagesë futbollistit brazilian, mirëpo as nuk do ta kundërshtojë atë me një kërkesë të veten për borxh nga ana e brazilianit.

Që kur Neymar është larguar nga “Camp Nou” në vitin 2017, ai rregullisht i ka kërkuar para klubit katalanas, ndërsa edhe vetë Barcelona ia ka kthyer me kërkesat e veta.

Gjatë verës së kaluar ishte arritur një marrëveshje për paqe, pasi Neymar synonte të kthehej të luante në “Camp Nou”.

Megjithatë, ajo periudhë nuk zgjati shumë dhe tani Neymar e ka ngritur padinë e tretë ndaj klubit.

Ndërkohë, edhe klubi brazilian Santos i ka dërguar një letër urgjente Barcelonës gjatë këtij muaji për një ndeshje miqësore që nuk ishte mbajtur pas transferimit të Neymarit.

Santos i ka kërkuar Barcelonës 4.5 milionë euro dëmshpërblim.
Shtuar më 28/02/2020, ora 10:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori