Ekzekutohet në atentat biznesmeni nga Shkodra
Ngjyrat e Boteroreve
Albeu.com
Time Magazine sjell top dhjetë ndeshjet që kanë shënuar historinë e Botërorit, ku kishte lojë, magji, mrekulli, bukuri, talent, padrejtësi, dramë, pikëllim, si dhe futboll bardh e zi - që ishte me ngjyra.
1. Itali 3-2 Brazil 1982

Jo vetëm ndeshja më e mirë në një Kampionat botëror, por kjo mund të konsiderohet si më e mira e zhvilluar ndonjëherë në historinë e futbollit. Brazili kishte kënaqur të gjithë në këtë turne me paraqitje elegante dhe futboll sulmues. Futbolli i shkëlqyeshëm dhe talenti i rrallë i Socrates, Zico, Falcao dhe Eder që ende kujtohet nga shumë puristë si përfaqësimi i pikës më të lartë të “lojës së bukur” për brezin post-Pelé të lojtarëve brazilianë. Dhe duke qenë se kishin shkatërruar çdo ekip me të cilin ishin përballur, ata ishin me shumë vetëbesim para ndeshjes me Italinë.
Vetëm 5 minuta pas fillimit të takimit, Paolo Rossi, i cili ishte rikthyer nga suspendimi dyvjeçar për shkak të skandalit të kurdisjeve të ndeshjeve, befasoi brazilianët me golin e tij. Një shkëmbim i pasimeve që të lë pa frymë ndërmjet Socrates dhe Zico, zhbllokoi mbrojtjen italiane dhe kapiteni Socrates realizoi njërin nga golat më të bukur të këtij Kampionati botëror. Mirëpo, shkujdesja e brazilianëve u kushtoi me golin e dytë të Rossit. Brazili sërish barazoi, por goli i tretë i Rossit theu zemrat e brazilianëve.
Rossi e përshkroi ndeshjen si “më të mirën” të karrierës së tij, por Zico nuk mund ta pranonte se ekipi më i mirë kishte fituar.
“Ne kemi luajtur futboll me bukuri artistike, të gjitha në lidhje me golat dhe sulmin”, tha ai. “Italia ishte e kundërta, krejtësisht e preokupuar me ndalimin e lojës së kundërshtarit”.
Italia vazhdoi tutje garën dhe në fund e fitoi trofeun, duke i dhënë mësim Brazilit se për ta fituar Botërorin duhet një ‘martesë’ ndërmjet dhuntisë së sulmit dhe mbrojtjes si “guri”.

2. Itali 4-3 Gjermani Perëndimore 1970

Ajo është quajtur lojë e shekullit, por, për të thënë të vërtetën, mund të vlerësohet si takimi me kohën shtesë më të mirë ndonjëherë. Pesë gola janë shënuar gjatë atyre 30 minutave, pasi ndeshja ndërmjet Italisë dhe Gjermanisë në kohën e rregullt pat përfunduar 1-1 në gjysmëfinalen e Botërorit 1970. Gjermanët ishin me fat që ndeshja vazhdoi me kohën shtesë pasi mbrojtësi Karl-Heinz Schnellinger, me një goditje vollej, më minutën e fundit realizoi golin e tij të vetëm në 47 paraqitje për vendin e tij.
"Schnellinger, i të gjithë popullit”, tha komentatori gjerman. Ato 30 minuta shtesë e gjetën futbollistin legjendar gjerman Franz Beckenbauer me krahun e tij të lënduar rëndë, por ekipi i tij kaloi në epërsi për herë të vetme në ndeshje në saje të sulmuesit tipik, Gerd Muller, me nofkën “Der Bomber”(Bombarduesi). Italia rikthen sërish epërsinë me golat e Tarcisio Burgnich dhe Luigi Riva. Muller barazoi rezultatin me golin e tij të 10-të në kampionat, por Italia realizoi golin e fitores përmes Gianni Rivera.

3. Belgjikë 4-3 Bashkimi Sovjetik 1986

Meksika madje nuk është dashur të ishte mikpritëse e Kampionatit botëror 1986. Por, një tërmet në Kolumbi, me një njoftim të vonshëm, bëri që meksikanët të kishin një festë të futbollit. Megjithëse më së shumti mbahet mend për triumfin e Argjentinës, turneu ofroi shumë gjëra për t’u admiruar sikurse kjo përballje klasike nga raundi i dytë. Bashkimi Sovjetik kishte një ekip shumë të mirë falë trajnerit Valeri Lobanovsky, i cili kishte modeluar ekipin kombëtar bazuar në njërin prej klubeve më të suksesshme europiane, Dinamo Kiev - shtatë futbollistë të saj, duke përfshirë yllin Igor Belanov, kishin luajtur në ekipin sovjetik që ishte pjesëmarrës në Botërorin 1982. Por, as het-triku i Belanov nuk ishte i mjaftueshëm për ta mposhtur Belgjikën, që barazoi 2-2 në kohën e rregullt, për ta dërguar ndeshjen në kohën shtesë. Një gol i Stephane de Mol kaloi në epërsi belgët, ndërsa Nico Claesen shtoi edhe më tepër dallimin e golave. Kurse Belanov fitoi dhe e konvertoi në gol një penallti, por që nuk mjaftoi për sovjetikët.
Belanov u bë vetëm futbollisti i tretë në historinë e kampionateve botërore, pas Ernest Wilimowski të Polonisë në 1938 dhe Josef Huegi i Zvicrës në 1954, që shënoi një het-trik dhe përfundoi në ekipin e mposhtur. Belgjika do të arrinte në gjysmëfinale përpara se të eliminohej nga Argjentina gjithë-pushtuese e Diego Maradonas.

4. Brazil 3-2 Holandë 1994

Kjo çerekfinale nga Botërori 1994 në SHBA ishte përballja e parë që nga viti 1974 dhe Brazili kërkonte hakmarrjen për humbjen e gjysmëfinales së atij viti. Brazili, që luante me fanellat e kaltra, në mënyrë të pazakontë shënoi nga kundërsulmi përmes Romarios. Dhe kur Bebeto dyfishoi epërsinë e brazilianëve, i tregoi botës një vallëzim të mrekullueshëm me të cilin tashmë festojnë të gjithë futbollistët që së fundi bëhen baballarë. Por, brenda një minute, Holanda ngushtoi epërsinë me golin e Denis Bergkamp. Më pas Aron Winter mposhti portierin Taffarel, për ta barazuar rezultatin. Pritej koha shtesë, por goli i fitores për Brazilin erdhi nga një futbollist prej të cilit nuk pritej, mbrojtësit Branco, i cili realizoi nga një goditje e lirë.

5. Gjermani Perëndimore 3-2 Hungari 1954

Finalja e Botërorit 1954 zakonisht është referuar si “Das Wunder von Bern” (Mrekullia e Bernës). Por, është gjithashtu një nga finalet më kontoverze që është zhvilluar ndonjëherë. Hungaria ishte favorite pasi ekipi që kishte fituar Olimpiadën e vitit 1952 dhe që drejtohej nga i mrekullueshmi, Ferenc Puskas, luante një futboll të rrjedhshëm, duke e marrë epitetin jozyrtar si ekipi më i mirë në botë. Kjo ishte një pjesë e vogël e suksesit që përfshinte rekordin prej 31 ndeshjeve pa humbje, duke përfshirë edhe triumfin që i shkaktoi Anglisë humbjen e parë në Wembley me një rezultat të thellë 6-3. Në të vërtetë, gjatë fazës më të hershme të këtij turneu, hungarezët magjikë kishin shkatërruar gjermanët, duke fituar me një rezultat të thellë 8-3, megjithëse Gjermania atë ditë u paraqit me ekip më të dobësuar, duke e ditur se ata mund të vazhdojnë garën edhe në qoftë se e humbin atë ndeshje. Por, kur Hungaria kaloi në epërsi prej dy golash vetëm pas tetë minutave lojë në finale - në saje të Puskas dhe Zoltan Czibor – dukej se për Gjermaninë Perëndimore kishte marrë fund gjithçka. Megjithatë, brenda disa minutave gjermanët barazuan përmes Max Morlock dhe Helmut Rahn. Ndërsa kur kishin mbetur edhe pesë minuta deri në fund të takimit, Rahn kaloi në epërsi Gjermaninë Perëndimore me rezultat 3-2. Hungaria shpresonte se Puskas kishte edhe diçka për të dhënë. Hungarezët mendonin se lutjet e tyre u pranuan kur Puskas barazoi rezultatin në minutën e fundit... por goli u anulua në mënyrë kontroverse për shkak të pozitës jashtë loje - një vendim që debatohet ende në ditët e sotme.
Puskas vetë e përshkroi atë në librin e Jonathan Wilson.
“Ishte pothuajse pas një minute kur gjyqtari ngriti flamurin lart. Unë mund ta kisha vrarë atë. Të humbasësh një Kupë të Kampionit të Botës, me një vendim të tillë, thjesht nuk është e drejtë”. Për të shtuar dhimbjen e Hungarisë, atyre iu mohua edhe një penallti para fishkëllimës së fundit të gjyqtari. Por, thjesht kjo nuk ishte dita e tyre.

6. Portugali 5-3 Kore e Veriut 1966

A ka pasur ndonjëherë një tregim më romantik se odiseja e Koresë së Veriut në vitin 1966? Të panjohurit nga Mbretëria e Hermitëve tashmë kishin paketuar italianët për në shtëpi (Azurrët ishin pritur me një stuhi të domateve, kur kishin mbërritur në Itali pas eliminimit nga koreanët) dhe patëm guximin të krijojnë epërsinë prej 3 golash kundër Portugalisë së Eusebios. Por, më pas Eusebio, me nofkën “Black Pearl” (Perla e Zezë), një futbollist me prejardhje nga kolonia portugeze në Mozambik, dëshmoi kualitetet e tij dhe Portugalia u rikthye në lojë. Madje, Eusebio realizoi katër gola, para se Jose Augusto të përkujdesej për rezultatin përfundimtar 5-3.
“Ishte Eusebio vetëm me sensin e tij të gjashtë për t’iu gjetur ekipit kur ishte më se e nevojshme dhe dhuntia e tij ringjalli fatin e tyre”, pat shkruar gazeta londineze “Times”.


7. Gjermani Perëndimore 3-3 Francë 1982 (Gjermania fitoi 5-4 pas penalltive)

Sigurt faullimi më i turpshëm në historinë e kampionateve botërore, kur portieri gjerman Harald Schumacher në mënyrë brutale ndërhyri ndaj francezit Patrick Battiston dhe shpëtoi pa u ndëshkuar— duke e ndërruar rrjedhën e kësaj gjysmëfinaleje klasike. Kishte një paralajmërim të dramës kur Pierre Littbarski i Gjermanisë Perëndimore dhe Michel Platini i Francës shënuan nga një gol në pjesën e parë. Dhe më pas ndërhyrja e Schumacherit, që në ditët e sotme do të ndëshkohej me karton të kuq dhe sigurt suspendim të gjatë – e la Battistonin pa vetëdije, duke pasur nevojë t’i jepej oksigjen për ta sjellë në vete – rezultoi me asgjë më shumë se një rivënie nga loja. Madje, Platini ishte frikësuar se bashkëlojtari i tij kishte vdekur. “Ai nuk kishte puls. Dukej shumë i zbehur”.
Franca megjithatë shënoi dy herë në kohë shtesë përmes Marius Tresor dhe Alain Giresse, të cilët ia siguruan ekipit “Les Bleus” epërsinë 3-1. Por, trajneri i Gjermanisë Perëndimore, Jupp Derwall aktivizoi Karl-Heinz Rummenigge nga bankina, i cili përkundër faktit që nuk ishte plotësisht i gatshëm për lojë shënoi një gol, para se Klaus Fischer të barazojë rezultatin. Barazimi nënkuptonte se për herë të parë në një ndeshje të Kampionatit botëror fituesi do të përcaktohej pas ekzekutimit të penalltive. Schumacher, pavarësisht faktit që ishte shumë me fat që ishte ende në fushë, bëri dy pritje për ta dërguan Gjermaninë Perëndimore në finalen përballë Italisë. “Bota e di që humbi ekipi më i mirë”, pat thënë Platini.
Ndërsa Schumacher pranoi 3 gola nga Italia dhe ekipi i tij humbi finalen me rezultat 3-1. Pas Botërorit, një nga gazetat më të mëdha në Francë realizoi një anketë ku Schumacher doli si personi më pak popullor në Francë, duke lënë pas edhe Adolf Hitlerin.

8. Francë 1-1 Brazil 1986 (Franca fitoi 4-3 pas penalltive)

Katër vjet më vonë në Meksika 1986, Franca mposhti favoritin Brazilin në çerekfinale. Kjo ishte përballja e mbretërve të Europës (Franca triumfoi në EURO '84) dhe gardianëve të lojës së bukur nga Amerika Latine. Filloi me pasimet e shpeshta me një të prekur të topit të francezëve që la nën hije brazilianët. Por, Franca nuk arriti të shënonte, para se Brazili të kalonte në epërsi. Më pas Platini barazoi gjithçka. Ndërsa numri 10 i Brazilit, Zico, pati rast të artë për të shënuar kur huqi penalltinë (Platini i dha mbështetje Zicos duke i shtrënguar qafën, me përshtypjen se vinte keq për huqjen e kundërshtarit, që ishte një gjest shumë sportiv). Dhe penalltitë ishin të vetmet që do ta përcaktonin se cili ekip duhej të ishte fitues. I pari që huqi penalltinë ishte Platini - në ditëlindjen e tij – dhe dukej se Franca do të eliminohej me penallti për të dytën herë me radhë. Por, portieri Joel Bats kishte ide tjera pasi me dy pritje i siguroi Francës kualifikimin në rrethin tjetër.

9. Angli 4-2 Gjermani 1966

Finalja e fundit e ndonjë Kampionati botëror, që do të transmetohej bardh e zi, ishte shumë e pasur me ngjyra. Anglia, pavarësisht se rrallë kishte impresionuar në kampionatin që po zhvillohej në shtëpinë e saj, ka shpresuar në fitore duke pasur parasysh qe kurrë nuk ishte mposhtur nga Gjermania. Por, ata ishin në disavantazh që në fillim të takimit, pasi Helmut Haller realizoi për Gjermaninë. Brenda gjashtë minutash, Angli barazoi me golin e Geoff Hurst, të cilin e asistoi kapiteni Bobby Moore. Kur Martin Peters i dha Anglisë epërsinë, 10 minuta para fundit të ndeshjes, Mbretëresha Elizabeth II duhet të ketë qenë duke pritur për t’ia dhënë kapitenit Moore trofeun e më të mirit. Por, gjermanët ishin gjermanë - Wolfgang Weber shënoi në minutën e fundit për të dërguar për herë të parë në histori një finale të Kupës së Botës në kohën shtesë.
Çdo tifoz i futbollit e di pjesën tjetër. Hurst shënoi golin e tij të dytë kontrovers, kur goditi transversalen dhe më pas topi preku afër vijës së portës. Arbitri zviceran Gottfried Dienst, i shtyrë nga asistenti i tij sovjetik Tofik Bakhramov, i cili tha se topi kishte kaluar vijën, vendosi se goli është i rregullt. Hurst vuri shllag mbi tortë me het-trikun e tij (i vetmi het-trik në një finale të Botërorit). Dhe tifozët anglezë ende mund t’i ricitojnë fjalët e pavdekshme të komentatorit të BBC-së, Kenneth Wolstenholme, “Disa njerëz janë në fushë, ata mendojnë se gjithçka ka marrë fund gjithë... Është tani!”.

10. Brazil 4-1 Itali 1970

Edhe Brazili edhe Italia e kishin fituar nga dy herë Kampionatin botëror dhe fituesi në Meksikë do të mund ta merrte trofeun në shtëpi. Kjo ishte edhe përballja e lojës sulmuese të Brazilit dhe kualitetit mbrojtës të Italisë, që më vonë është njohur si “catenacci”. Pele kaloi Brazilin në epërsi para se Roberto Boninsegna të barazonte, para përfundimit të pjesës së parë. Kur kishin mbetur edhe 25 minuta deri në fund, Brazili tregoi një nga lojërat më ofensive në historinë e futbollit. Së pari Gerson e më pas Jairzinho për t’ia shuar shpresat Italisë. E tëra që mbeti ishte goli i kapitenit Carlos Alberto. Trajneri Mario Zagallo nuk e kishte vetëm gëzimin që udhëhoqi ekipin e tij drejt triumfit, por ai ishte personi i parë që e fitoi një Botëror si lojtar dhe si trajner.

Përktheu: Herolind Beqaj, Express
Shtuar më 03/07/2010, ora 11:43
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori