Nis Bundesliga, Bayern-Wolfsburg ngre siparin
Pëlqej
Prej kohësh nuk mbahej mend që Bundesliga të startonte kaq vonë në kohë, megjithatë ankthi dhe përgatitjet marrin fund e tashmë është momenti për të parë në veprim gjithë protagonistët e edicionit të 52 të kampionatit gjerman. Nuk mund të ndodhte ndryshe dhe privilegjin për të çelur sezonin e kanë pikërisht kampionët në fuqi. Bayern Munchen do të nisë mbrojtjen e titullit në “Allianz-Arena” ndaj Wolfsburgut, skuadër të cilën një sezon më parë në takimin korrespondues e mundën me shumë vështirësi, falë një goli të Thomas Muller.

Natyrisht bavarezët janë favoritë absolutë për të regjistruar suksesin e tretë radhazi në Bundesliga, që do të ishte njëkohësisht edhe titulli i 4 për ta në 6 edicionet e fundit, sidoqoftë ato dy trofe që mungojnë janë fituar nga Borussi Dortmund dhe verdhezinjtë e Jurgen Klopp edhe këtë sezon përbëjnë kundërshtarin e vetëm të denjë në gjendje për t’i rivalizuar në kampionat.

Të vetmin rezultat pozitiv “Ujqërit” e kanë regjistruar katër vjet përpara se të ndërtohej stadiumi aktual dhe asokohe në “Olympiastadion” gjithçka u mbyll në barazim 3-3, me protagonist për Bayernin e drejtuar nga Ottmar Hitzfeld sulmuesin peruan Claudio Pizarro, që pothuajse 36-vjeçar vazhdon të bëjë pjesë ende në gjirin e kampionëve.

Guardiola do të ketë probleme në formacion me emra të tillë si Schweinsteiger, Thiago Alcantara, Javi Martinez e Jerome Boateng jashtë. Ky i fundit ndryshe nga të tjerët nuk është në dispozicion për arsye skualifikimi, ndërkaq me dyshim është francezi Franck Ribery.

Duke patur parasysh kontigjentin e dy skuadrave sigurisht më i penalizuar është ekipi i Wolfsburgut, tek i cili do të mungojnë Ivan Perisic, Christian Trasch, Patrick Ochs, Felipe Lopes madje edhe vetë portieri Diego Benaglio, ndërsa përforcimi më i fundit, sulmuesi danez Nicklas Bendtner është në dyshim.

Trajneri Dieter Hecking ka pësuar 10 humbje ndaj Bayernit, në karrierë, sidoqoftë 49-vjeçari nga Ruhri ia ka dalë mbanë të fitojë brenda në “Allianz Arena” me Hanoverin 1-0 në vitin 2006. Bayerni ka fituar plot 30 nga 49 ndeshjet hapëse të Bundesligës, një më shumë sesa Schalke dhe Dortmund, ndërsa vjet më 9 Gusht, në debutim bavarezët fituan 3-1 ndaj Gladbach-ut. /albeu.com/
Shtuar më 22/08/2014, ora 09:17
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori