Nis grumbullimi për sfidën ndaj Italisë, ja kuqezinjtë e parë që mbërrijnë
Nis grumbullimi anti-Itali dhe Bosnjë për përfaqësuesen kuqezi, ku ditën e shtunë dhe të diel kanë filluar të mbërrijnë lojtarët e parë.

Azdren Llullaku është ndër të parët e mbërritur, gjendja e tij është maksimale dhe ai shprehet i gatshëm të luajë edhe në mbrojtje, jo vetëm në repartin e avancuar, ku e ka vendin.

“Na pret një ndeshje shumë e vështirë, por mendoj se jemi të gatshëm dhe të motivuar. Kemi nevojë për pikë dhe do të ikim në Itali me këtë mendim në kokë. Edhe në mbrojtje të luaj, nuk ka problem. Shpresoj vetëm që të luaj”, deklaron Llullaku për Tch.

Taulant Xhaka, pas fitores së një nate më parë të skuadrës së tij Bazelit, ka mbërritur të dielën në aeroportin "Nënë Tereza".

“Duhet të luajmë siç kemi luajtur deri më tani. Nuk duhet ta presim Italinë, por ta sulmojmë ne të parët. Jam gati të sakrifikoj kudo për të luajtur”, u shpreh Xhaka.

Edhe Amir Abrashi duket të ketë hedhur pas shpine dëmtimin e tij që e mbajti gjatë jashtë fushës së lojës: “Kam pasur probleme sepse u ktheva i dëmtuar nga ndeshja me Spanjën. Ka 3-4 javë që po stërvitem, por skuadra ka ecur mirë dhe trajneri nuk ka ndryshuar formacion”.


Shtuar më 19/03/2017, ora 17:24
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori