Nisin spastrimet tek Reali, Zidane nxjerr 9 lojtarë në shitje
Zinedine Zidane vendosi javën e kaluar të rikthehet në stolin e Realit, për të nxjerrë skuadrën nga momenti i vështirë që po kalonte, por sipas mediave spanjolle, francezi kishte kërkuar garanci për një revolucion në skuadër.

Kështu tekniku i ka dhënë presidentit Perez një listë me emrat e Hazard, Erikssen, Pogba, Mbappe dhe Harry Kane, ku kërkon që të mbërrijnë të paktën 3 prej tyre, në repartin e mesfushës dhe sulmit, pasi mbrojtja mund të quhet e kompletuar me Eder Militaon.

Megjithatë, vlen të theksohet se po kaq e bujshme është edhe lista në dalje, pasi edhe në këtë rast, tekniku francez ka pasur një listë me emrat e lojtarëve që duhet të dalin në shitje, pasi nuk janë thelbësorë në projektin e tij.

Në këtë listë nuk mungojnë emrat e bujshëm si Bale, Marselo, Isco, Keilor Navas, Mariano Diaz, por edhe të rinjtë si Valverde, Ceballos dhe Marcos Llorente, të cilët do të jenë në merkato në verë dhe nëse do të vijnë oferta të rëndësishme mund të largohen nga Madridi.

Marcos Asensio është ai që gëzon besimin e plotë të Zidane, pasi francezi ka kërkuar me ngulm që djaloshi të mos jetë më në merkato, sepse do t’i besohet një rol mjaft i rëndësishëm në projektin e ri të skuadrës.

Kur duhen më tepër se 3 muaj nga hapja e merkatos verore, Reali do të jetë një nga klubet që do të kontribuojë më së shumti për të “ngritur temperaturat”, si me emrat në hyrje, ashtu edhe ata në dalje.
Shtuar më 19/03/2019, ora 09:16
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori