Një botëror pa yje dhe legjenda po afrohet
Teksa eliminatoreve për Kupën e Botës po u vjen fundi, disa prej emrave më të mëdhenj të futbollit botëror mund të mbeten pa u futur në fazën finale të “Rusi 2018”.

Argjentina, me një listë yjesh në gjirin e saj, mund të jetë e penalizuara më e madhe nga këto eliminatore. Mesi, Aguero, Di Maria, Dibala, Higuain e Ikardi gjenden momentalisht në vendin e 6-të në renditje, ende me një ndeshje për të luajtur. Gjithçka varet nga këmbët e tyre, pasi me një fitore ndaj Ekuadorit, Argjentina do arrinte të siguronte vendin e 5-të, i cili mundëson “play-off”.

Portugalia e Kristiano Ronaldos momentalisht gjendet e dyta në Grupin B, pas Zvicrës që numëron plot 8 fitore në 8 ndeshje. Edhe pse asgjë nuk është vendosur, nëse e mbyllin në vendin e 2-të, “Seleçaot” do të luajnë në “play-off” dhe kualifikimi për në Botëror do vështirësohej akoma më shumë.

Holanda vazhdon të zhgënjejë me paraqitjet e saj, dhe do i duhet një mrekulli në dy ndeshjet e fundit, me Bjellorusinë dhe Suedinë për të arritur të paktën vendin që të dërgon në “play-off”, raporton Panorama. Arjen Roben mund të jetë i munguari i madh në Rusi, lojtar i cili ishte prezent edhe në finalen e humbur ndaj Spanjës në vitin 2010, në Botërorin e Afrikës së Jugut.

Edhe Italia e Bufonit, Bonuçit dhe Insinjes nuk ka asgjë të sigurt. Të kaltrit kanë siguruar vendin e 2-të, por barazimi i paparashikuar 1-1 ndaj Maqedonisë, tashmë nuk i lejon të shpresojnë për më lart. Të besuarit e Venturës tashmë do vendosin kualifikimin për në fazën finale vetëm nëpërmjet ndeshjeve “play-off”.
Shtuar më 08/10/2017, ora 11:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori