Një nga ndeshjet më të mira të Ronaldinhos, bëri edhe tifozët e Realit ta duartrokasin (VIDEO)




Ronaldinho do të mbahet gjatë në mend nga tifozët e futbollit, për stilin e tij fantastik në fushë.

Ylli brazilian kulmin e karrierës së tij e kaloi te Barcelona, ku me këtë skuadër fitoi gjithçka, përfshirë edhe Ligën e Kampionëve, Kupën e Botës për klube dhe titullin dhe Kupën e Spanjës.

Por në nëntor të vitit 2005, Ronaldinho zhvilloi njërën nga ndeshjet më të mira në karrierën e tij, në një stadium magjik si ai Santiago Bernabeu.

Ishte xhiro e 12-të në La Liga dhe po zhvillohej ndeshja më e madhe në botë për klube mes Real Madridit dhe Barcelonës.

Real Madridi ishte i mbushur me galaktikë në atë kohë ku në formacionin bazë ishin lojtarë si Ronaldo, Zidane, Raul, Robinho, Beckham, Carlos, Casillas apo Sergio Ramos.

Kjo gjë nuk i bëri përshtypje brazilianit Ronaldinho për të treguar madhështinë e tij, teksa Barcelona fitoi me rezultat të pastër 0-3 duke turpëruar madrilenët.

Samuel Eto’o shënoi golin e parë në minutën e 15-të, ndërsa pjesa e dytë i takoi Ronaldinhos që shënoi dy golat e tjerë në minutat 60-të dhe 77-të.

Paraqitja e mrekullueshme e Dinhos bëri që edhe tifozët e Real Madridit të ngritën në këmbë dhe ta duartrokasin atë, duke e bërë edhe më madhështore lojën e tij në Santiago Bernabeu.

Edhe sot 15 vite më vonë, tifozët e futbollit e kujtojnë me nostalgji këtë paraqitje të brazilianit që e bëri para 80 mijë tifozëve vendas.
Shtuar më 10/04/2020, ora 10:07
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori