Një tjetër ekip shqiptar në CAS, akuzohet FSHF
Tomori-Apolonia ishte ndeshja e Kategorisë së Parë që solli tërmet të madh në ligën e dytë të futbollit të Shqipërisë.
Ekipi nga Berati fitoi me rezultatin 3-2, por Federata Shqiptare e Futbollit mori vendimin që beratasit ta humbisnin takimin në tavolinë 3-0, dënime për fushën dhe trajnerët.

Shkak ishte relacioni i delegatit të ndeshjes që kishte shënuar parregullësi gjatë ndeshjes dhe raste dhune ndaj stafit teknik të Apolonisë.

Vendimet e KDS nuk u mirëpriten nga klubi beratas që doli me një deklaratë zyrtare ku bojkotonte kampionatin dhe akuzonte hapur FSHF, shkruan telesport. Ishte zyrtari Alban Pambuku që e cilësonte Federatën një institucion me dy standarte dhe që vendoste fatet e kampionatit me vendime të njëanshme.

Duket se inati nuk i ka dalë ende në Berat, pasi klubi ka vendosur të depozitojë çështjen në CAS. Ky vendim publikohet përmes faqes zyrtare të klubit.

"Klubi i Tomorit ka marrë vendim që çështjen në lidhje me vendimin e Komisionit të Disiplinës dhe atë të Apelit ta dërgojë në Gjykatën e Arbitrazhit të Lozanës. Kemi hyrë në bisedime me një kompani avokatie shumë të njohur dhe premtojmë që do të dalim të fituar në shumë aspekte të tjera. Në fundjavë rikthehemi në fushë...", shkruhet në njoftim.

Shtuar më 18/02/2019, ora 08:18
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori