Nuk ka merkato dimri te Reali, Perez e Zidane planifikojnë blerje të bujshme në verë
Ndërkohë që shumë skuadra mezi presin hapjen e merkatos së janarit, për të bërë riparimet e nevojshme, te Reali i Madridit nuk kanë ndërmend të angazhohen aspak këtë dimër, si për afrime ashtu edhe për largime.

Sipas mediave spanjolle, gjatë një takimi mes Perez dhe Zidane, të dy kanë rënë dakord për që shkak të situatës ekonomike të vështirë, të përkeqësuar edhe nga pandemia, do t’i besohet organikës aktuale deri në fund të sezonit.

Në këtë mënyrë madrilenët do të kenë mundësi të kursejnë dhe të përgatitin goditje të bujshme gjatë merkatos së verës, me emra si Pogba e Mbappe që janë gati t’i bashkohen trajnerit Zidane në "Santiago Bernabeu".

Kështu sulmuesit serb Luka Jovic i është komunikuar se do të vijojë të mbetet pjesë e “Los Blancos” të paktën deri në fund të sezonit, ndërsa e njëjta gjë pritet të ndodhë edhe me brazilianin Marselo, i cili nuk është i kënaqur me minutazhin e paktë të aktivizimit.

I vetmi që mund të lërë Madridin është fantazisti spanjoll Isco, i cili ka prishur totalisht marrëdhëniet me Zidane dhe po këmbëngul të shkojë diku për të luajtur rregullisht, pasi nuk dëshiron të humbë ftesën për në Kampionatin Europian.

Destinacioni i mundshëm i Iscos është Sevilla, ku e pret krahëhapur trajneri Julen Lopetegui, i cili ka ditur t’i gjejë gjithmonë pozicionin e duhur në fushë fantazistit dhe t’i marrë më të mirën, ndaj Reali mund ta pranojë një huazim 6-mujor.
Shtuar më 29/12/2020, ora 22:39
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori