Nuk plotësohen kushtet e sigurisë, derbi Tirana-Partizani në rrezik
Ndeshja midis Tiranës dhe Partizanit është e shumëpritur prej një kohe të gjatë. Historia, rivaliteti dhe bukuria e kësaj sfide është speciale. Por, ndeshja e programuar ditën e premte është në rrezik për tu zhvilluar.

Paraditen e sotme është zhvilluar një takim mes zyrtarëve të klubeve, FSHF dhe policisë.

Sipas “Vipsport.al”, Policia ka kërkuar që tribuna A të jetë për tifozët e Partizanit, duke qenë se janë afër tribunës karshi ku qëndrojnë grupimi “Guerrils”. Ndërsa tribuna B të jetë për tifozët e Tiranës.

Kjo ndarje e bën më të thjeshtë administrimin, si nga Security private, ashtu edhe nga Policia e shtetit për marrjen e masave.

Por, Tirana ka refuzuar që të bëhet kjo ndarje, pasi dëshiron që tifozët e saj të qëndrojnë në tribunën A, të cilën e konsiderojnë si një tribunë ku kanë qëndruar historikisht.

Pas këtij refuzimi, Policia e shtetit ka deklaruar se heq dorë nga marrja e masave për organizimin e ndeshjes, duke e konsideruar si të pamundur për shkaqe sigurie.

Ky refuzim i është komunikuar edhe shefit të garave të FSHF-së, Lysjen Nurishmi, i pranishëm në mbledhje.

Tashmë pritet që të shprehet edhe FSHF, duke qenë se ndeshja nuk organizohet dot, pa qenë edhe Policia e pranishme në ambientet pranë stadiumit dhe pa aprovuar planin e sigurisë.

Kushti i vetëm mbetet që Tirana të pranojë që tifozët e Partizanit të qëndrojnë në tribunën A dhe ata bardheblu në tribunën B. Një kërkesë që gjithashtu nuk pranohet nga klubi organizator.

Derbi futet në kaos të vërtetë dhe në dyshim serioz për t’u organizuar.
Shtuar më 26/09/2018, ora 14:22
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori