Nuk po rinovon me Milanin, Calhanoglun e shtyjnë drejt Interit
Hakan Calhanoglu është një nga futbollistët protagonistë të një momentit të jashtëzakonshëm që po kalon Milani gjatë vitit 2020, pasi përveçse ndërton të gjithë manovrën sulmuese, vrapon shumë dhe ndihmon gjithmonë edhe në fazën mbrojtëse.

Turku rilindi me Piolin në pankinë dhe po ia shpërblen besimin trajnerit më së miri në fushë, por drejtuesit e Milanit nuk po arrijnë t’i rinovojnë kontratën, që skadon verën e ardhshme dhe tashmë është rritur rreziku që Calhanoglu mund të jetë duke luajtur vitin e fundit me kuqezinjtë.

Kjo pasi fantazisti pretendon një pagë prej 6.5 milionë eurosh në vit, për të hedhur firmën mbi kontratë, ndërsa te Milani janë gati të shkojnë deri në 4 milionë euro në sezon dhe momentalisht palët janë shumë larg.

Pikërisht për këtë arsye, menaxheri i Calhanoglu i ka ofruar shërbimet e fantazistit turk edhe klubit tjetër të Milanos, Interit, por për momentin nuk dihet nëse bëhet fjalë për diçka konkrete, apo thjesht për një strategji për negociatat me kuqezinjtë.

Fantazisti 26-vjeçar do të ishte ideal për skemën e Contes, ndaj te Milani duhet të nxitojnë, pasi duke nisur nga 1 janari, Hakan Calhanoglu është i lirë të negociojë dhe të firmosë me cilin klub të dojë dhe natyrisht që zikaltrit do të ishin gati të rrëmbejnë një futbollist në kulmin e karrierës, mbi të gjitha me parametra zero.
Shtuar më 21/10/2020, ora 11:53
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori