Nurishmi: Sezoni rinis këtë muaj dhe përfundon në korrik, do ketë merkato deri vitin e ardhshëm
Edhe FSHF, ashtu si shumica e Federatave në mbarë Europën është në dilemë në lidhje me rinisjen e sezonit dhe gjithçka varet në ecurinë e “luftës” me koronavirusin.

Shefi i sektorit të garave pranë FSHF, Lysien Nurishmi në një lidhje me televizioni “ABC News” ka treguar se është planifikuar që sezoni të rinisë në fund të këtij muaji dhe të zgjasë deri në korrik. Në lidhje me merkaton ai u shpreh se tregu do të jetë i hapur deri në janar të vitit të ardhshëm.

RIFILLIMI– Deri në këto momente, situata nuk është e favorshme. Siç e dime të gjithë, situata do të përmirësohet. Urojmë nga fundi i muajit maj të rifillojë kampionati kombëtar, nga Superiorja, deri te moshat. Do të presim dhe dritën jeshile nga shteti, të marrim atë “OK” e shumëpritur.

STËRVITJA– Normalisht, nga ana sportive, kjo periudhë ka qenë shumë e vështirë për lojtarët, edhe pse ata kanë zhvilluar stërvitje në shtëpi. Përsa i përket rifillimit të kampionatit, është menduar që të lihet një periudhë 10 ditore, ose 12 ditore, që lojtarët të kenë mundësinë të stërviten.

KALENDARI– Normalisht që ne i kemi përgatitur të gjithë skenarët, duke marrë si pikë fillimi javën e parë dhe të dytë të majit. Edhe skenarit më të keq, nëse kampionati fillon në qershor. UEFA ka vendosur dhe limit për klubet që shkojnë në kupat UEFA (20 korrik). Ne besojmë se do e mbyllim deri në fund të muajit korrik.

KUPA– Në rast se fillon në mes të muajit maj, do të jetë më mirë për klubet, pasi nuk ka ndeshje çdo tre ditë. Nuk është vetëm kampionati, por dhe ndeshjet e Kupës. Nëse nuk kemi vend në kalendar, do të zhvillojmë ndeshjet e Kupës me vetëm një ndeshje, në fushë asnjanëse.

KLUBET– Qershori është 30 ditë, por të mos harrojmë që kemi dhe Kupën, kështu që do të shtrihemi deri në korrik. Klubet janë në dijeni të datave që kemi përcaktuar ne, jo 100% të sigurta, por e kanë një ide si mund të mbyllet sezoni.

MERKATO– Në manualin që ka dërguar FIFA për klubet, është shprehur qartë se të gjitha kontratat që mbarojnë me 31 maj, do të mbarojnë kur të mbarojë sezoni. Sa i përket rifillimit të merkatos, do të jetë e hapur edhe me mbarimin e muajit gusht, edhe në shtator. Do të kemi merkato të hapur deri në muajin dhjetor apo janar.
Shtuar më 14/04/2020, ora 20:03
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori