NYT: Kosova siguron ndeshjen, por jo ekipin e ëndrrave
Pas gjashtë viteve refuzimi, përpjekjesh të dështuara, veprimeve të drejtpërdrejta dhe, më në fund, pranimit, Eroll Salihu më në fund organizon ndeshjen, e cila njihet zyrtarisht, shkruan gazeta "The New York Times" në numrin e sotëm.

Përfaqësuesja e futbollit të Kosovës do të luajë ndeshjen e parë miqësore nën patronazhin e FIFA-së, kundër Haitit, të mërkurën në Mitrovicë, 24 kilometra në veri të kryeqytetit, Prishtinës. Për Salihun, i cili për një kohë të gjatë e drejton Federatën e Futbollit të Kosovës si sekretari i saj i përgjithshëm, ky është një territor i virgjër.

"Është shumë stresuese. Duhet të organizojmë sigurinë, kemi gazetarë që vijnë nga e gjithë bota, vizat...", u shpreh ai të enjten.

Salihu tregon listat me detyrat e tij përpara një ngjarjeje nga më të mëdhatë në historinë e re të Kosovës. "Më duhet të stampoj programin gjithashtu", tha ai.

Edhe pse është shpallur pavarësia nga Serbia në mënyrë të njëanshme në vitin 2008 dhe është njohur nga 23 prej 28 vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe 108 shteteve anëtare të OKB-së, Kosova mbetet zyrtarisht e panjohur si një komb sovran. Pa anëtarësim në Kombet e Bashkuara, Kosova nuk është në gjendje t’i bashkohet UEFA-së, (organi drejtues i futbollit Europian), apo FIFA-së. Lojtarët me trashëgiminë kosovare kanë përfunduar duke luajtur për disa prej kombëtareve më të forta të Europës dhe në shumë raste kanë lulëzuar.

Një përfituese ka qenë Zvicra, e cila u kualifikua për kupën botërore të këtij viti në Brazil. Tre nga lojtarët më të mirë të ekipit zviceran, Xherdan Shaqiri (Bayern Munich), Valon Behrami (Napoli) dhe Granit Xhaka (Borussia Monchengladbach), kanë lindur në Kosovë ose janë rritur nga prindërit kosovarë. Gjatë të njëjtit cikël kualifikues, shumica e formacionit të Shqipërisë dhe duke përfshirë edhe kapiten e saj, Lorik Cana, i cili luan në Itali për Lazio-n, kanë prejardhje nga Kosova. Lojtarët e tjerë kosovarë përfaqësojnë vendet që iu dhanë strehim atyre ose prindërve të tyre si refugjatë dhe shtete si Norvegjia, Finlanda dhe Suedia, janë në mesin e tyre.

Që nga viti 2008, Salihu dhe federata e futbollit të Kosovës janë munduar, por pa sukses, për të zhvilluar ndeshje zyrtare me ekipin e tyre kombëtar. "Ne vetëm kemi kërkuar për të luajtur futboll. Ne kemi ekipe që ekzistojnë që nga viti 1922. Kemi pasur nga 40.000 tifozë për ndeshje. Është e rëndësishme që të jemi pjesë e Evropës", është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i FFK-së./albeu.com/
Shtuar më 01/03/2014, ora 17:20
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori