O fitoni, o ikni të gjithë
Janë dridhur muret e “Appiano Gentiles”-s. Massimo Moratti, i cili ka ndjekur stërvitjen e Interit të enjten, ka përdorur tone të ashpra ndaj skuadrës, me shpresën që të mos jetë më i detyruar të braktisë para kohe tribunën e “San Siro”-s prej paraqitjeve të dobëta. Të dielën në mbrëmje është sfida me Juventusin, ajo më e rëndësishmja bashkë me derbin, në të cilën u ka kërkuar lojtarëve një sprovë krenarie për të ndryshuar drejtim dhe për të arritur vendin e tretë, objektiv jetik.

Një sezon pa Champions nënkupton një dëm si sportiv, edhe ekonomik, me një shifër prej 30 milionë eurosh minus. Presidenti i Interit ka qenë shumë i qartë: pa vendin e tretë, askush nuk është i sigurt se do të qëndrojë, në të gjitha nivelet e klubit. I pari që do të shkarkohej është Ranieri, por rrezikojnë shumë edhe drejtuesit, me Branca dhe Ausilio në krye, ashtu si edhe pjesa më e madhe e lojtarëve.

Numri një i klubit zikaltër është i gatshëm t’i largojë të gjithë, ndonëse nuk do ta ketë shumë të lehtë, duke pasur parasysh se senatorët janë të lidhur me klubin nga kontrata afatgjata. Për pasojë, ndeshja me Juventusin është vendimtare për shumë arsye. Nëse në vitet e fundit 3 pikët për interistët vlenin për betejën për titullin, me bardhezinjtë – në atë kohë shumë larg nga kreu – tani situata është përmbysur. Renditja u buzëqesh rivalëve dhe Interi është jashtë thuajse nga gjithçka, por kjo është një përballje që kalon përtej tri pikëve.

Moratti e di fare mirë, ndaj është përpjekur që ta përcjellë këtë koncept edhe tek lojtarët e drejtuar nga Claudio Ranieri. “Pavarësisht klasifikimit, – ka theksuar ai duke iu drejtuar skuadrës, – ajo ndaj Juventusit mbetet ndeshja më e rëndësishme nga të gjitha. Është për mua, por duhet të jetë edhe për ju. Edhe për arsye politike dhe për ambientin që e njihni mirë, ka ardhur koha të nxirrni në pah tërë krenarinë interiste. Pres nga të gjithë diçka më shumë”, – janë fjalët e Moratit të transmetuara nga e përditshmja italiane “Gazzetta Dello Sport”. /albeu.com/
Shtuar më 24/03/2012, ora 11:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori