Oferta e re e Torinos nuk e bind Belottin, rinovimi thuajse i pamundur
Sulmuesi Andrea Belotti po luan sezonin e 6 me fanellën e Torinos dhe drejtuesit e klubit po punojnë për t’i rinovuar kontratën, duke qenë se aktualja skadon në qershor të vitit 2022.

Megjithatë negociatat mes palëve nuk po ecin aspak mirë, pasi sulmuesi 27-vjeçar nuk është i kënaqur as me ofertën ekonomike dhe as me projektin sportive që i propozon klubi dhe ka ndërmend të largohet për të luajtur për objektiva më madhorë.

E ndikuar nga gjendja e pandemisë, Torino i ka kërkuar Belottit uljen e pagës për të rinovuar, por nga ana tjetër sulmuesi e ka bërë të qartë se do të preferonte largimin nëse do të vinte një ofertë interesante gjatë verës.

Momentalisht për Belottin ka shfaqur interes klubi i Milanit, që e kërkoi edhe dy vite më parë, por atëherë presidenti i Torinos Urbano Cairo ngriti pretendimet në 100 milionë euro, ndërsa këtë verë marrëveshja mund të arrihet për shumë më pak.

Kjo pasi sulmuesi do të jetë në vitin e fundit të kontratës dhe në mungesë të rinovimit, te Torino do të pranonin ta shisnin edhe për një shifër prej 40-50 milionë eurosh, vetëm për të mos e humbur me parametra zero një vit më vonë.
Shtuar më 18/02/2021, ora 10:46
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori