Olsi Rama: Ju tregoi ç’ndodhi në "prapaskenë", Sormani kapiten që lë anijen të mbytet
Ditët e fundit te Partizani nuk kanë qenë aspak të qeta. Fillimisht u mësua për pesë lojtarë të infektuar e Covid-19, pasoi refuzimi i Sormanit për të qenë në krye të ekipit në derbi dhe gjithçka u finalizua me shkarkimin nga stoli të trajnerit dhe stafit të tij. Justifikimi i i trajnerit italian ishte frika e infektimit nga koronavirusi.

Stafi e konsideroi si një braktisje veprimin e teknikut para një ndeshje si derbi ndaj Tiranës, ku luheshin edhe fatet e sezonit dhe vendosi shkarkimin e menjëhershëm të tij. Të gjitha prapaskenat e ngjarjeve të fundit i shpjegon vetë drejtori i të kuqve, Olsi Rama në një prononcim për “Top Channel”.

DITA E DERBIT- “Ditën e mërkurë stërvitja u krye normalisht dhe në darkë u krye dhe marrja e tamponëve. Ditën e enjte stërvitja u shty tre herë, u zhvillua në orën 21:30 dhe i pyetëm futbollistët si ndiheshin, i matëm dhe temperaturën ata ishin në gjendje optimale dhe vendosëm të kryenim stërvitjen, seancë në të cilën stafi nuk mori pjesë pa komunikuar me drejtuesit, duhet ta them këtë gjë. Ditën e premte u munduam të vendosnim kontakte, por përsëri nuk pati kontakt me drejtuesit”.

PRANIA NË STOL GJATË DERBIT- “Zgjedhja për të qenë në stol ishte për t’i qëndruar pranë ekipit, më mbrapa ishte i parikuperueshëm raporti me stafin teknik, kështu që u gjet mënyra të ndaheshin rrugët tona”.

E VËRTETA E LARGIMIT TË SORMANIT- “Nëse do vinte në derën e Partizanit, sigurisht që do isha unë i pari që do i thoja se një kapiten që le anijen të mbytet dhe del për vete në breg nuk ka më moralin të jetë përsëri kapiteni i kësaj anije. Mori shpërblimin përsa i përket punës që kishte bërë deri në këtë moment dhe mund të themi që mori dhe një pagesë, i premë biletën me pak fjalë për të ikur në Itali”.

NGACIMIMI- Me pak ngacmim do thoja që nëse do kishte vërtet kaq frikë nga pandemia besoj se duke qenë koshient për të zbatuar rregullat, duhej të qëndronte në Shqipëri të kishte bërë 14 ditët e karantinës e pastaj të shkonte pranë familjareve të tij ai dhe stafi. Sigurisht që kemi nisur të mendojmë se kush janë opsionet, do shohim brenda realitetit shqiptar”.

KTHIMI I SKËNDER GEGËS?- Ai ka lënë përshtypje të mira padiskutim sepse është trajneri me të cilin Partizani doli kampion. Nuk përjashtoj asnjë pistë sepse të gjitha zgjedhjet që bëhen tek Partizani, janë zgjedhje dhe të presidentit dhe të drejtorit. Për momentin eksperimenti italian është i dështuar, kështu që nuk besoj se do të ketë afrime prej andej”, përfundoi Olsi Rama. /vipsport.al/
Shtuar më 15/07/2020, ora 22:06
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori