Operohet me sukses Sami Khedira
Real Madrid bëri të ditur se është realizuar me sukses ndërhyrja kirurgjikale për dëmtimin e ligamenteve të gjurit të djathtë të Sami Khediras. Mesfushori u dëmtua rëndë gjatë miqësores që kombëtarja e tij gjermane luajti me Italinë të premten. Klubi madrilen përmes faqes zyrtare njoftoi se operacioni shkoi mirë për lojtarin, që parashikohet të qëndrojë rreth 6 muaj jashtë fushës së blertë.

"Ndërhyrja kirugjikale u krye në klinikën Hessingpark në Augsburg nga mjeku Ulrich Boenisch nën mbikëqyrjen e mjekëve të Realit të Madridit, Jesus Olmo dhe Francisco Morate. Lojtari do të qëndrojë në Augsburg gjatë 3 javëve në vijim për të ndjekur më pas një plan specifik rikuperimi për ligamentet e dëmtuara", njofton Real Madrid.

Ishte kjo deklarata e klubit spanjoll, që tashmë duhet të shqyrtojë alternativat për një zëvendësues të mundshëm të mesfushorit shkatërrues deri në fund të sezonit.

Ndërkohë te kombëtarja gjermane ka optimizëm se Khedira mund të rikthehet në kohë për të kapur avionin drejt Botërorit "Brazil 2014". /albeu.com/
Shtuar më 17/11/2013, ora 15:57
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori