Operohet Valdes, 7 muaj larg fushave
Barcelona dha lajmin se është realizuar me sukses ndërhyrja kirurgjikale në gjurin e djathtë të Victor Valdes, pas dëmtimit që pësoi në takimin e fituar 3-0 kundër Celta Vigos një javë më parë. Portieri i blaugranave u operua në Augsburg nga mjeku gjerman Ulrich Boenisch, i njëjti që ka realizuar ndërhyrjet kirurgjikale tek dy madrilenët, Jese Rodriguez dhe Sami Khedira, ndërsa i pranishëm në operacion ishte edhe mjeku i klubit, Ricard Pruna.

Përmes një deklarate në faqen zyrtare, Barcelona konfirmoi se Valdes nuk do të jetë në gjendje të luajë për të paktën 7 muaj në rastin më të mirë.

Me këtë dëmtim, Botërori i Brazilit mbetet veç një ëndërr në sirtar për gardianin e katalanasve, ndërsa vendos në vështirësi Gerardo Tata Martinon, i cili duhet t’i besojë tani aftësive të Jose Pintos në këtë fazë mjaft delikate të kampionatit, me garën për titullin që është bërë më e ndezur se kurrë më parë.

E komplikuar mbetet edhe vetë e ardhmja e Valdes, që ka deklaruar lamtumirën nga blaugranat në fund të sezonit me destinacion të mundshëm Monacon ose Manchester City.

Në këtë situatë me shumë dilema për 32-vjeçarin, te Barcelona kanë menduar për t’ia lehtësuar disi dhimbjen. Monaco apo Manchester City ndoshta nuk do të preferojnë të nënshkruajnë me një lojtar që të paktën deri në tetor nuk do të luajë e ndërkohë, presidenti i Barçës, Bartomeu është shprehur më shumë se njëherë i gatshëm për rinovimin e Valdes, të cilit kontrata i skadon më 30 qershor. /albeu.com/
Shtuar më 31/03/2014, ora 16:06
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori