Orë vendimtare te Interi, disa futbollistë me valixhet gati
Te Interi po kalojnë orë mjaft intensive sa i përket merkatos, pasi drejtuesit e klubit po punojnë në pista të ndryshme, si sa u përket afrimeve, ashtu edhe largimeve, ndërsa mediat pranë klubit zikaltër sjellin edhe zhvillimet më të fundit.

Kështu në repartin e mbrojtjes janë duke bërë valixhet gati dy veteranët Andrea Ranocchia dhe Diego Godin, i pasi me destinacion Genoan dhe i dyti që pritet të transferohet në Sardegna, për të veshur fanellën e Cagliarit.

Ndërkohë drejtuesit e Interit kanë gati zëvendësuesit e tyre, pasi kanë marrëveshje paraprake për afrimin e italianit Mateo Darmian dhe mbrojtësit të Kombëtares Shqiptare, Marash Kumbulla, të cilët presin t’u bashkohen zikaltërve në ditët e ardhshme.

Gjithashtu raportohet se në Milano ka mbërritur menaxheri Marcelo Simonian, i cili ka marrë përsipër të bëjë ndërmjetësin për transferimin e mbrojtësit Milan Skriniar te Paris Saint Germain, ndërsa zikaltrit synojnë të arkëtojnë të paktën 55 milionë euro për kartonin e sllovakut.

Edhe menaxheri i Marcelo Brozovic ka mbërritur më Milano dhe ka takuar drejtuesit e Interit, të cilët janë në pritje të një oferte prej të paktën 40 milionë eurosh për kartonin e mesfushorit kroat. Brozovic ndiqet nga Bayern Mynich dhe Monaco, ndërsa pikërisht francezët janë treguar më aktivë në orët e fundit.

Krahas mesfushorit kroat, drejtuesit e Interit synojnë që brenda këtyre ditëve të gjejnë një destinacion edhe për futbollistë të tjerë të këtij reparti, si Matias Vecino, Joao Mario dhe ndoshta edhe Christian Eriksen.

Kjo pasi nën urdhrat e Antonio Contes pritet të mbërrijë Arturo Vidal, i cili sipas mediave spanjolle, më në fund ka vendosur të heqë dorë nga paga e vitit të fundit të kontratës dhe pritet që në fillim të javës të mbërrijë në Milano.

Vetë trajneri i Interit ëndërron mesfushorin francez Ngolo Kante, por për të arritur te ky i fundit do të jetë e vështirë, pasi edhe tekniku i Chelseat Franck Lampard foli me superlativa për kampionin e botës dhe e quajti atë si një pjesë fondamentale të ekipit.

Sa i përket krahut të majtë të mesfushës, zikaltrit kanë hedhur sytë sërish nga Londra, pasi do të provojnë të marrin në huazim spanjollin Marcos Alonso. Ky i fundit është i treti në hierarkinë e Lampard, pas Ben Chilwell e Emerson Palmeirit, ndaj londinezët mund ta japin në huazim, nëse nuk arrijnë ta shesin gjatë ditëve të ardhshme të merkatos.
Shtuar më 12/09/2020, ora 14:19
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori