Orges Shehi: Luajmë me ego dhe uri
Pëlqej
Ish-portieri Orges Shehi po rezulton në zgjedhje duhur në krye të stolit të Skënderbeut në këtë nisje të kampionatit.

Edhe pse me largime të shumta, ai ka arritur ta mbajë skuadrën në krye të klasifikimit. Madje të hënën Skënderbeu mori një fitore mjaft të rëndësishme në një fushë si ajo e Flamurtarit të Vlorës, ku edhe në vitet e tij më të mira e kishte të vështirë të largohej me 3 pikët.

Pas fitores 0-2 ndaj ish-trajnerit të tij Daja, Orges Shehi është shprehur mjaft i lumtur, ndërsa i ka bërë edhe një analizë skuadrës së tij.

Skënderbe i ri, por sot u duk po aq i fortë sa ai i vjetri?

Edhe pse janë të rinj, ata kanë qenë pjesë e jona. Lojtarët janë rritur me frymën tonë, që kemi pasur gjithë këto vite, dhe janë të uritur për të fituar.

Mundët Partizanit, fitoni edhe në Vlorë. Sërish kandidatë për titull…

Jemi të kënaqur me pikët që kemi marrë, por edhe me mënyrën e lojës. E kemi thënë, që gjithmonë do fokusohemi në ndeshjen e radhës.

Pse luajti Lulaj dhe jo Demte. E kishit parashikuar agresiv Flamurtarin?

Menduam për Lulajn, pasi me stafin menduam se Bushiç është i rrezikshëm në topin e dytë. Por, kërkuam agresivitet që nga sulmuesit, jo vetëm te Lulaj në mesfushë.

4 minutat e fundit të pjesës së parë, dhe 5 minutat e para të pjesës së dytë, Flamurtari ju rrezikoi dhe u tërhoqët shumë…

Në pjesën e parë, u futëm kot në presion, dhe u tërhoqëm shumë duke i dhënë kundërshtarit fushë. Në pjesën e dytë, i kërkuam lojtarëve të ngjiten më lart, pasi ndryshe rrezikonim. Vendasit përfituan edhe nga publiku, por ishte gabimi ynë që i lamë hapësirat.

Situata me Radas, Vangjelin dhe Krasniqin para ndeshjes. Ishte një strategji, për të hutuar kundërshtarin?

Realisht, Radas dhe Vangjeli kishin probleme. Kristi la edhe një ditë stërvitjen. Krasniqi nuk u stërvit prej gripit. Kisha shpresë se këta të dy nuk do na rrezikonin, por Radas na hapi më shumë punë, pasi kishte dhimbje mesi. Bëri edhe injeksione para ndeshjes, për të mos e humbur këtë takim.

Jeni ju skuadra për t’u mundur?

Do insistoj që të jemi skuadra për t’u mundur javë pas jave. Duhet të luajmë me ego dhe uri, për të dhënë maksimumin në ndeshje, pavarësisht se çfarë vjen rezultati. Nëse japim këto, jemi të sigurt që gjërat pozitive do vijnë./TCH/
Shtuar më 18/09/2018, ora 09:17
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori