Osmani dhe Hila rrezikojnë ndëshkimin me pamjet filmike
Gjyqtari Klajdi Kola dhe ndihmësit e tij të shumtë në fushë e kaluan pa ndëshkim përplasjen fizike gjatë lojës mes kapitenit të Teutës, Tefik Osmani dhe mesfushorit të Partizanit, Ardit Hila. Osmani e kap për fyti Hilën, i cili i kundërpërgjigjet me një grusht në bark.

Arbitri nuk mori asnjë masë, ndonëse të dy lojtarët meritonin kartonin e kuq. Gjithsesi, të dy lojtarët rrezikojnë që të ndëshkohen nga Komisioni i Disiplinës, i cili javë më parë ka dënuar një veprim antisportiv të Idriz Bathës përmes pamjeve televizive.

Por ka edhe raste të tjera që nuk janë marrë në shqyrtim, siç ka qenë goditja me kokë e mbrojtësit Domgjoni ndaj arbitrit Kuka në ndeshjen Kastrioti-Partizani. Tani mbetet të shikohet se me cilin standard do ta gjykojë Disiplina incidentin e fundit, sipas rastit Batha apo sipas rastit të Domgjonit me arbitrin Kuka?

Shtuar më 10/12/2018, ora 13:40
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori