Pa Barçën do të isha një "hiç"
Trajneri i madrilenëve i ka thurur indirekt elozhe, si një lamtumirë për Guardiolën "Nëse Barcelona nuk do të ekzistonte, Real Madrid do ta fitonte kampionatin edhe pa trajner".

Ky është provokimi i lëshuar nga trajneri i "Galaktikëve", Jose Mourinho, pak javë pas përfundimit të kampionatit spanjoll, që nga shumë njerëz në Spanjë është interpretuar edhe si një mënyrë për ti dhënë lamtumirën Guardiolës, duke bërë elozhe indirekte.

Këtë vit, tekniku portugez ka thyer dominimin e Barcelonës, duke e udhëhequr skuadrën te fitorja e kampionatit. "Kemi arritur të grumbullojmë 100 pikë, thekson ish-tekniku i Interit. Barcelona ka grumbulluar vetëm 91. Real Madrid e ka fituar kampionatin me 9 pikë distancë, gjë që nuk ndodh në kampionatet e tjera", u shpreh "Special One".

Mourinho është ndalur më pas te Champions League, që ka mbetur peng i tifozëve madrilenë, të cilët ëndërrojnë të festojnë sa më shpejt kupën e 10 në histori.

"Për të fituar Champions-in nuk ka nevojë që të jesh më i miri. Mjafton që të shohësh finalen e këtij viti: Bayern ka bërë 18 goditje nga këndi, kurse Chelsea vetëm një dhe shikoni çfarë ndodhi. Anglezët shënuan në të vetmen mundësi. Kjo është diçka që konfirmon edhe një herë tjetër se në një ndeshje të vetme mund të ndodhë gjithçka. Në një kompeticion si kampionati spanjoll, gjërat janë shumë më ndryshe. Luhen 38 ndeshje dhe shpeshherë ka një sërë detajesh të vogla që mund të bëjnë diferencën", shpjegon Mourinho.

Trajneri i madrilenëve e ka mbyllur deklaratën rreth së ardhmes. "Kam firmosur deri në vitin 2016, por në një klub si Reali, nëse humb 2 ndeshje radhazi, atëherë gjithçka mund të ndryshojë". /albeu.com/
Shtuar më 28/05/2012, ora 13:03
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori