Panuçi tregon kur do publikojë listën e Kombëtares
Shqipëria do të nisë në fundin e muajit mars, dy ndeshjet e para kualifikuese në grupih H eliminator, përkatësisht në shtëpi përballë Turqisë, dhe në transfertë ndaj Andorës, shkruan Albeu.com

Në një prononcim për TV Klan, trajneri i Shqipërisë, Kristian Panuçi, kërkon që në “Loro Boriçi” të Shkodrës të arrihet objektivi fitore ndaj turqve, e më pas të mendohet për Andorën.

“Jam besimplotë sepse pas Ligës së Kombeve dhe miqësoreve ndryshuam diçka, sjelljen tonë në fushë dhe urojmë që të ecim përpara. Objektivi ynë është fitorja me Turqinë, të përpiqemi ta arrijmë dhe pastaj të mendojmë për Andorrën” – shprehet fillimisht Panuçi.

Më tej, ai tregon se ditën e enjte këtë javë, do të shpallë listën e lojtarëve të grumbulluar. Panuçi nuk pëlqen të tregojë nëse do e ftojë apo jo Kristi Qosen i cili luan në Sllovaki, edhe pse gjasat janë të shumta, por nga ana tjetër tregon se nuk do të jetë i gatshëm, Marash Kumbulla nga Verona.

“Të enjten do të shpallet lista e lojtarëve dhe deri atë ditë nuk mund të them shumë. Kumbulla është i dëmtuar dhe nuk mund të jetë gati, nuk do të jetë në këtë grumbullim” – u shpreh Panuçi.

Marash Kumbulla i cili sapo mbushi 19 vjeç aktivizohet me Verona në Serie B. Kristian Panuçi i gëzohet rikthimit të Amir Abrashit dhe Armando Sadikut. Të dy kaluan dëmtimet që i mbajtën disa muaj larg fushave, por shqetësim mbetet gjendja e Sokol Cikalleshit dhe Eros Grezdës. Ky i fundit i është rikthyer stërvitjes, por ende nuk është grumbulluar me Rejnxhërs. /albeu.com/

Shtuar më 09/03/2019, ora 23:03
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori