Partizani befasohet nga Luftëtari, Tirana e pafat përballë Flamurtarit
Partizani është shpartalluar nga Luftëtarit 1-3 në "Selman Stërmasi". Skuadra e drejtuar nga trajneri Skënder Gega e nisi mirë ndeshjen, pasi kaloi në avantazh që në minutën e 4` me anë të Dilaver Dukës. Mesfushori i të kuqve shënoi nga jashtë zone, duke detyruar Shkëlzen Ruçin të nxirrte topin nga rrjeta.

Teksa dukej se pjesa e parë do të mbyllej me avantazhin e të kuqve, vendasit ndëshkohen në minutën e 38`. Është Dunga ai që realizon një gol të bukur brenda zonës, ndërsa në minutën e 44`, keniani realizon dhe golin e dytë, duke përfituar dhe nga dalja e parakohshme nga porta e Alban Hoxhës, të cilit i kaloi topin mbi kokë.

Mirëpo nuk mbaron me kaq, pasi Dunga do të shënonte dhe golin e tretë, që vulosi rezultatin 1-3 për Luftëtarin. Në minutën e 70`, sulmuesi nga Kenia realizoi një gol spektakolar duke e goditur topin me finte.

Një humbje e befasishme për Partizanin, që bën një hap fals në momentin më të mirë të tij, pasi mund të përfitonte nga humbja e Kukësit, që gjithashtu u mund sot nga Kastrioti. Ndërkohë, Luftëtari me tre pikët e sotme shkëputet në vendin e shtatë të renditjes me 4 pikë më shumë se Tirana që mban vendin e tetë, dhe rrezikon shumë mbijetesën, të cilë mesaduket do e diskutojë me Kastriotin pas ditës së sotme.

Deri para pak javësh Tirana as që e mendonte se do i mblidhej laku në fyt kaq keq, por për fajin e vet dhe për "faj" të Luftëtarit e Kastriotit, tashmë bardheblutë shohin makthet e para dy viteve, kur ranë nga kategoria.

Sot bardheblutë janë mundur në Vlorë 1-0, në një ndeshje ku u ndaloheshin gabimet, duke parë çmendurinë e Kastriotit dhe sidomos Luftëtarit.

Fundjava që duhej të ishte e thjeshtë, u kthye në dramë për Tiranën, sepse Flamurtari, edhe pse "pa bukë", e ka mundur me një gol të Xhevahir Sukajt, ish-sulmuesit të Partizanit që e ka gjithnjë derbi personal me Tiranën.

Fantastik Flamurtari, ka sakrifikuar pa fund, me një vetëmohim prekës, pa paguar prej vjeshtës së shkuar, ndërkohë që humbja në Vlorë është një katastrofë në çdo drejtim për Tiranën, e aftë të humbasë edhe penallti, me Imamin që nuk pati qetësinë dhe saktësinë për të gjetur kuadratin në fillim të pjesës së dytë.

Renditja thotë që Flamurtari ka siguruar mbijetesën dhe është vetëm 2 pikë larg vendit të tretë, ndërsa Tirana ka vetëm 3 pikë më shumë se Kastrioti dhe për fat mesjavën e ardhshme do të marrë 3 pikë "qyl", sepse pret Kamzën sipas kalendarit./albeu.com/








Shtuar më 06/04/2019, ora 20:46
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori