Partizani do kreun kundër Teutës, Tirana për të harruar derbin në Vlorë
Ende pa u shuar zhurma e derbit të kryeqytetit, e pasuar edhe me polemika dhe masa ndëshkimore të marra nga Komisioni i Disiplinës, Partizani dhe Tirana zbresin këtë të shtunë në fushë për sfidat e javës së 7-të.

Në orën 17:00, të kuqtë do të presin pa praninë e tifozëve Teutën, ndërsa bardheblutë luajnë në transfertë me Flamurtarin. Takimi i tretë dhe i fundit i ditës është ai mes Skënderbeut dhe Luftëtarit, që do të zhvillohet në të njëjtën orë në Korçë.

Pa dyshim, që ndeshje që tërheq më shumë vëmendjen është ajo e kryeqytetit, sepse si Partizani dhe Teuta janë në grupin e skuadrave kryesuese, madje “Djemtë e Detit” kanë një pikë më shumë dhe bashkëkryesojnë me Bylisin. Në kampin e kuq shpresojnë që me fitoren në derbi të ketë përfunduar edhe ajo fazë tranzicioni që përkoi me ndryshimet në organike dhe ndryshimin e skemës dhe skuadra të krijojë një vazhdimësi fitoresh për të qenë “violinë e parë” e kampionatit. Sa i përket formacionit, trajneri Franco Lerda ka vetëm një dyshim, që lidhet me gjendjen e Lorenc Trashit, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës është e gatshme për lojë.

Tirana nuk udhëton aspak e qetë drejt Vlorës për transfertën me Flamurtarin, edhe pse kuqezinjtë, me situatën që po kalojnë, janë kundërshtarët idealë për të hedhur pas krahëve dy humbjet radhazi me pretendentët kryesore të kampionatit, Kukësin dhe Partizanin. Mësohet se Erjon Hoxhallari, i cili nuk ishte i pranishëm as në ndeshjen e klubit, nuk është grumbulluar për takimin me Flamurtarin, ndërsa Kërçiku ka mbetur jashtë për arsye dëmtimi. Kjo do të thotë se do thotë se në dy krahët e mbrojtjes pritet të aktivizohen Doka dhe i riu Ismajlgeci, ndërsa në qendër rikthehet Imami (pas mungesës në derbi për shkak të përplasjes me trajnerin Mema).

Një përballje interesante do të zhvillohet në Korçë mes Skënderbeu dhe Luftëtarit, dy skuadra që e kanë nisur me luhatje të mëdha sezonin e ri. Korçarët, pas një starti të befasishëm, pësuan 3 humbje në 4 sfidat e fundit dhe janë skuadra e dytë që ka pësuar më shumë gola në 6 javët e para, plot 11. Nga ana tjetër, Luftërari, që ka 3 pikë me pak (9 me 6), nuk njeh humbje në tre takimet e fundit dhe udhëton me ambicie të mëdha për këtë transfertë.



Shtuar më 05/10/2019, ora 10:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori