Partizani konfirmohet si pretendent për titull
Pëlqej
Në një “Qemal Stafa” të veshur të kuq nga tifozët e Partizanit, të dyja skuadrat u përpoqën që në fillim të zhvillonin një lojë me ritëm dhe ja dolën.

Tre javë për një kthesë 360 gradë. Partizani regjistroi fitoren e tretë radhazi duke mundur Teutën 2-0 në kryeqytet e duke u ngjitur në krye të Superiores për një natë bashkë me Skënderbeun e Tiranën. Duro ju fal zgjedhjeve të tij në sulm gjatë merkatos së verës, me Fazliun e Racic, dy lojtarët aq shumë të kërkuar prej tij që zgjidhën ndeshjen ndaj durrsakëve duke shënuar golat e fitores për Partizanin.

Në një “Qemal Stafa” të veshur të kuq nga tifozët e Partizanit, të dyja skuadrat u përpoqën që në fillim të zhvillonin një lojë me ritëm dhe ja dolën, teksa nuk munguan sulmet në të dyja krahët. Partizani në ndryshim nga javët e para u shfaq agresiv që në fillim dhe pati mundësinë për të kaluar përpara me Fazliun në të 6-tën, por goditja e tij nuk ishte ajo e duhura. Në të 23-tën ishte Rizvani që u bë pengesë për vendasit teksa ndali harkimin e Cuculit, me dy sulmuesit Racic e Fazliu që u gjetën në kundërkohë. Fazliu ishte i papërmbajtshëm dhe në të 29-tën ju shkëput sërish mbrojtjes durrsake, por goditja nuk ishte ajo e duhura. Sulmuesi kosovar, pak caste më pas arriti të fitojë një tjetër duel shpejtësi me Hoxhën, por Rizvani këtë herë vuri këmbën për të shpëtuar Teutën. Gjithsesi “telashet” e Partizanit me gjetjen e golit i zgjidhi Racic, që pas një këmbngulje të Bathës, u lirua mirë në goditje duke cuar peshë “Qemal Stafën”.

Për serbin ishte goli i tretë në këtë kampionat. Finalizimi i tij i hapi oreksin dhe Fazliut, që tre minuta më pas festoi golin e tij të parë me fanellën e kuqe.

Rezultat më të mirë për Partizanin nuk mund të kishte për të vajtur në pushim ndërkohë që aty Teuta u duk sikur doli e vendosur për të provuar përmbysjen, por pavarsisht volumit nuk krijoi raste të mirëfillta, aq sa Partizani ishte më i rrezikshëm, si në rastin e minutës së 55-të kur provoi të shënonte golin e tretë me një goditje të Mazrekajt. Në të 64-trën, Teuta pretendoi për 11-metërsh me Vrapin që ndërhyri ndaj Rafael, por kryesoi vazhdoi lojën. E drejtë apo jo? Përsëritja thotë gjithcka. Kalimi i minutave e bëri Teutën të humbasë dhe atë pak besim që kishte, me Partizanin që e pati më të lehtë menaxhimin e lojës madje duke kërkuar sërish golin me një goditje nga jashtë zone të Fazliut. Në minutat e mbetura, dy ekipet u duk sikur u pajtuan me rezultatin, me Partizanin që të paktën për 24 orë e sheh veten bashkëkryesues të Superiores.
Shtuar më 19/09/2014, ora 22:13
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori