Partizani mposht Laçin, Tirana fiton në Fier
Edhe pas javës së 10-të të Superligës, dy skuadrat nga kryeqytetase, Partizani dhe Tirana vazhdojnë të mbeten në krye të Superligës Shqiptare.

Në ndeshjet e luajtura sot, dy skuadrat kanë shënuar fitore.

Partizani ka mposhtur 2-0 në “Qemal Stafa” Laçin e Armando Cungut. Para nisjes të këtij takimi, është kujtuar edhe njëherë ndeshja Gramozi – Real Madrid ku u fikën dritat në stadium. Arbitëri Emirjon Sino vërshëllen për fillimin e ndeshjes saktësisht në orën 17:10.

Një pjesë e parë me ritëm dhe raste nga të dyja ekipet por goli ka munguar. Mungesa e James ndjehet shumë te Laçi duke treguar mangësi në sulm. Në shifrat 0-0 mbyllet pjesa e parë.

Fillimi i të dytës ishte mjaft pozitiv për Partizanin. Goditja nga larg e Racic nuk zotërohet mirë nga Vujadinovic, që i shpëton topi nga duart dhe aty afër ndodhet Vila, që s’e ka të vështirë të finalizojë. 1-0 dhe “Guerrils” ndezin “Qemal Stafën”.

Vetëm 6 minuta më vonë sërish Partizani në aksion. Racic pengohet në mënyrë të gabuar nga portieri Vujadinovic. Mazrekaj godet nga pika e bardhë dhe dyfishon shifrat. Laçi duket i dorëzuar pas golit të dytë dhe ndeshja mbyllet përfundimisht 2-0. Partizani ngjitet në kuotën e 21 pikëve duke ndarë vendin e parë me Tiranën.

Edhe Tirana në ndeshjen tjetër vazhdon të tregojë një formë mjaft të mirë. “Bardheblutë” e Maganit fitojnë lehtësisht në Fier 3-0 duke treguar se janë favoritë kryesorë. Golat e Ndikumanës, Bakaj dhe Gentian Muçës kanë vulosur fitoren e Tiranës.

Apollonia e ka humbur shkëlqimin e javëve të para ku tregoi se ishte një ekip fushe dhe tashmë e sheh veten shumë poshtë në tabelën e rënditjes. Tirana i përgjigjigjet kështu Partizanit dhe të dyja këto ekipe ndajnë kreun me pikë të barabarta pas javës së 10-të të Superligës.
Shtuar më 29/10/2014, ora 21:10
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori