Partizani pezullon Mazrekajn
Problemet me lojtarët nuk kanë të sosur tek skuadra e Partizanit. Pas largimit të Xhevahir Sukajt, një tjetër futbollist i rëndësishëm i të kuqve është shumë pranë divorcit me kryeqytetasit.

I referohemi Mentor Mazrekajn, i cili që nga muaji mars i mungon skuadrës së kuqe për shkak të një operimi.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, mesfushori ka qenë në fazë rikuperimi në Prishtinë, por në shfaqjen e fundit në kryeqytet, që ishte në ndeshjen ndaj Teutës e cila mbylli kampionatin e shkuar, lojtari u duk jashtë forme, madje kishte filluar të vinte edhe bark.

Dje është përhapur lajmi se ai ka ikur përfundimisht nga skuadra dhe ndoshta mund të mos jetë pjesë e saj në sezonin e ri. Sakaq, drejtues të klubit të kuq kanë konfirmuar dje për “Panorama Sport” se Mazrekaj nuk është larguar përfundimisht nga ekipi, por ndaj tij është marrë një masë.

Ai është pezulluar nga presidenti Demi, pasi stafi teknik i ka bërë me dije se lojtari nuk po bashkohej me ekipin dhe forma e tij fizike ishte jashtë parametrave të pritshëm. /albeu.com/
Shtuar më 30/06/2016, ora 14:05
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori