Pas 47 ditësh, FIFA-UEFA i heqin pezullimin Shqipërisë
Albeu.com
Blater i dërgon një faks Dukës: Jam i lumtur të të njoftoj! FIFA heq pezullimin e Federatës Shqiptare të Futbollit, pasi qeveria e vendit tonë firmosi statutin e ri të institucionit që drejton sportin e top-këmbës.Dënimi ishte dhënë më 14 mars të këtij viti, për shkak të asaj që FIFA e etiketoi si "ndërhyrje të fortë të politikës në futbollin shqiptar". Që prej asaj date, FIFA dhe UEFA kanë zhvilluar biseda të shumta me drejtuesit e FSHF-së dhe me shtetin, që përfaqësohej nga Ministria e Sporteve. Në këtë mënyrë, Shqipëria rikthehet në arenën ndërkombëtare pas 47 ditëve dhe këtu ka ndikuar tërheqja e ministrit Ylli Pango nga akuzat që kishte ngritur për kreun e federatës, Duka, si edhe nga çështja gjyqësore, e cila qëndronte prej muajsh e hapur. Lajmi është konfirmuar në faqen zyrtare të FIFA-s, por edhe nga dy fakse të mbërritura në zyrat e FSHF-së. "Komiteti i Emergjencave të FIFA-s vendosi që të hiqte pezullimin e Federatës Shqiptare, dhënë më 14 mars 2008 nga Komiteti Ekzekutiv, pas ndërhyrjeve politike në çështjet e brendshme të FSHF-së", citonte sajti elektronik i institucionit që drejton futbollin botëror. "Pas bisedave ku u përfshinë FIFA, UEFA, FSHF dhe autoritetet shqiptare, më në fund statuti i ri i FSHF-së u firmos nga ministri i Sporteve, Ylli Pango, dhe është regjistruar në gjykatë. Pas këtyre zhvillimeve e pas konsultimit me UEFA-n, FIFA vendosi që sot (dje) më 29 prill, të heqë pezullimin e Shqipërisë".

Për Federatën e Futbollit dhe presidentin Armand Duka, lajmi është konfirmuar fillimisht nga presidenti i FIFA-s, Josef Blater. Në një faks të dërguar nga Zyrihu, zvicerani 72-vjeçar ka dhënë sihariqin: "I dashur z.president, i dashur mik! Kam kënaqësinë t‘ju informoj juve, FSHF-në dhe të gjithë komunitetin e futbollit në Shqipëri se Komiteti i Emergjencave të FIFA-s vendosi të heqë pezullimin e Federatës tuaj nga Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s, e cila hyri në fuqi gjatë marsit të kaluar", citohej në faks. "Komiteti i Emergjencave mori parasysh përfundimin pozitiv të negociatave katërpalëshe që u zhvilluan ndërmjet FIFA-s, UEFA-s e FSHF-së nga njëra anë dhe autoriteteve që përfaqësonin qeverinë shqiptare në anën tjetër, e cila solli firmosjen e statutit të ri të federatës, i miratuar në qershor 2007, nga ministri përgjegjës për Sportin dhe për rrjedhojë regjistrimin në Gjykatën e Tiranës. Do të ngrihet një grup pune i përbërë nga katër palët e sipërpërmendura dhe së shpejti një delegacion me zyrtarë të lartë të FIFA-s dhe UEFA-s do të vizitojnë Shqipërinë për të diskutuar rreth problemeve të mbetura pezull dhe do të kërkojnë gjetjen e çdo zgjidhjeje të mundshme për të siguruar progresin e mëtejshëm të sportit në vendin tuaj. Në emër të FIFA-s dhe në emrin tim, më lejoni t‘ju shpreh dëshirën që të gjithë aktorët e interesuar në futbollin shqiptar, lojtarët, klubet, zyrtarët e FSHF-së, autoritetet politike dhe sektori privat, të bashkohen pas krizës për të mirën e sportit tonë dhe gjithashtu për të mirën e të rinjve në Shqipëri. Duke pritur që të takohemi së shpejti në Kongresin e FIFA-s, mbetem sinqerisht i juaji". Nga UEFA, heqja e pezullimit të vendit tonë është konfirmuar nga sekretari i përgjithshëm, Devid Tejlor: "Jemi të lumtur t‘ju njoftojmë se më 28 prill, Paneli i Emergjencës vendosi në mënyrë unanime që të heqë menjëherë pezullimin e FSHF-së. Për rrjedhojë, federata juaj, klubet, anëtarët e komiteteve të UEFA-s, delegatët, gjyqtarët, etj., mund të rifillojnë kontaktet sportive dhe komunikimin me UEFA-n dhe të gjitha federatat që janë anëtare aty".


Sep Blater

Presidenti i FIFA-s, Josef Blater, vendosi që lajmin e heqjes së pezullimit t‘ia jepte personalisht kreut të FSHF-së, Armand Duka. Ai nuk e ka fshehur gëzimin për rikthimin e Shqipërisë në futbollin botëror. (Shqip)
Shtuar më 01/05/2008, ora 01:16
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori