Pas 60 vjetesh Villa con Spanjen ne gjysmefinale (VIDEO)
Albeu.com
Sulmuesi David Villa shënoi golin e vetëm shtatë minuta pa përfunduar ndeshja për t'ia siguruar kualifikimin Spanjës pas 60 vjetësh në gjysmëfinale të Kampionatit Botëror.Spanja të shtunën mbrëma në stadiumin "Ellis Park" të Johannesburgut mposhti Përfaqësuesen e Paraguait me shifrat 1:0.
Herën e fundit në gjysmëfinale Spanja luajti në vitin 1950 kur në Botërorin e mbajtur në Brazil përfundoi në vendin e katërt.
Villa u tregua kyç me golin e vetëm, por te Spanja pati edhe një hero. Ishte portieri Iker Casillas, që priti penalltinë e Oscar Cardozos kur rezultati ishte baras (0:0). Casillas në minutën e 59-të ndali penalltinë pasi më herët Gerard Pique rrëzoi në zonë Cardozon pas harkimit të Edgar Barretos nga këndi.
Sulmuesi i ri i Barcelonës, Villa, golin e shënoi pasi para tij Pedro Rodriguez qëlloi shtyllën nga asistimi i Andres Iniestas, ndërsa topin e kthyer Villa e çoi në rrjetë me ndihmën e dy shtyllave. Për Villën ky është goli i pestë në Afrikën e Jugut.
Përfaqësuesja spanjolle ka mundur shumë më herët të avancojë sikur arbitri nga Guatemala, Carlos Batres të mos përsëriste penalltinë e gjuajtur nga Xabi Alonso. Alonso u tregua i saktë herën e parë, por arbitri e anuloi atë me pretekstin se lojtarët ishin futur në zonë të rreptësisë pa u goditur topi. Herën e dytë, gjuajtjen e Alonsos e priti portieri Justo Villar. Ndodhi kjo në minutën e 62-të, pasi një minutë më herët në zonë u pengua Villa nga mbrojtësi Antolin Alcaraz.
Villa ka mundur të shënojë edhe golin e dytë në këtë ndeshje sikur në minutën e 90-të të ishte me syçelë përballë portierit Villar pas një kundërsulmi të udhëhequr nga zëvendësuesi Pedro Rodriguez.
"Jemi në mesin e katër ekipeve më të mira në botë dhe ky është një moment i mirë për futbollin e Spanjës", ka thënë trajneri i Spanjës, Vicente del Bosque,
Pos penalltisë së humbur, Paraguai pati rast të mirë për të barazuar shifrat në minutën e 89-të, por sërish Casillas u tregua vendimtar. Fillimisht Lucas Barrios gjuan, ndërsa topi i dëbuar vjen deri te Roque Santa Cruz që nuk e mposhti Casillasin nga afërsia.
"Dhamë gjithçka nga vetja, patën raste, por nuk i shfrytëzuam, gjë që ndodhi e kundërta me Spanjën", ka thënë trajneri i Paraguait, Gerardo Martino.
Spanja në gjysmëfinale do të takohet me Gjermaninë, të mërkurën në qytetin Durban.

Shikoni golin:





Penalltia e humbur nga Paraguaji:




Penalltia e humbur nga Spanja:

Shtuar më 03/07/2010, ora 23:27
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori