Pas Alonsos, Lampard përplaset edhe me Kante
Chelsea ishte padyshim skuadra qē shpenzoi më shumë në merkaton e kësaj vere, që zyrtarisht u zhvillua në vjeshtë dhe për më tepër u ndikua jo pak nga efektet e koronavirusit, megjithatë londinezët ia dolën të sjellin në “Stamford Bridge” emra si Timo Werner, Hakim Ziyech, Thiago Silva, Ben Chilwell, Kai Havertz apo portieri Mendy.

Por pavarësisht këtyre blerjeve të bujshme, trajneri Franck Lampard nuk po arrin të orientojë skuadrën drejt sukseseve dhe së fundi po shfaqet nervoz e po përfshihet në përplasje të hapura me futbollistët e tij.

Rasti më i fundit raportohet nga mediat franceze dhe flet për një krisje të raporteve mes trajnerit anglez dhe mesfushorit N’golo Kantè, i cili ka qenë titullar dhe nga më të mirët në të gjithë ndeshjet që Chelsea ka luajtur për këtë sezon.

Mesfushori francez ka telefonuar trajnerin e tij për t’i kërkuar një ditë lejë më tepër, duke qenë se dëshironte të merrte pjesë në ceremoninë martesore të njē miku tē ngushtë, por ka marrë një jo të prerë nga Lampard dhe të dy duket se janë grindur jo pak.

Kampioni i botës me Francën i ka kujtuat trajnerit se ështē futbollist korrekt e model dhe se në një rast të tillë meritonte një trajtim ndryshe, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që Kante të qëndrojë edhe pa lejë, duke marrë parasysh që e pret një gjobë kur të kthehet në Londër.

Mesfushori francez është vetëm futbollisti i radhës që përplaset me Lampard, pasi tekniku i londinezëve ka marrëdhënie të tensionuara edhe me portierin Kepa, mbrojtësin spanjoll Marcos Alonso e atë gjerman Rudiger, me këta dy të fundit që tashmë nuk i merr as në stolin rezervë.
Shtuar më 12/10/2020, ora 10:59
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori