Për legjendën e Liverpool, Messi është më i miri i të gjitha kohërave dhe jo Ronaldo
Ish-qendërmbrojtësi legjendar i Liverpoolit, Jamie Carragher, beson se Lionel Messi i Barcelonës është futbollisti më i mirë i të gjitha kohëve, e jo Cristiano Ronaldo i Juventusit.

Juventusi kishte pësuar disfatë me rezultat 2:0 në ndeshjen e parë të 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve, kundër Atletico Madridit. Cristiano Ronaldo i shënoi tri gola në ndeshjen kthyese dhe Juventusi e zuri një vend në çerekfinale, me rezultat të përgjithshëm 3:2.

Ylli portugez e shënoi një gol në pjesën e parë për ta përgjysmuar epërsinë e madrilenëve, para se ta barazonte rezultatin në pjesën e dytë. Në minutën e 86-të të ndeshjes, ai e shënoi golin e fitores, nga pika e penalltisë.

Ky ishte het-triku i tetë në ndeshjet e Ligës së Kampionëve për Ronaldon, mirëpo kjo gjë nuk mjaftoi që ai ta mbante vëmendjen e mediave për më shumë se 24 orë, pasi që vetëm 24 orë më vonë, Lionel Messi shkëlqeu për Barcelonën.

Argjentinasi i shënoi dy gola dhe i asistoi dy të tjera në fitoren me rezultat 5:1 ndaj Lyonit, duke ia siguruar po ashtu kualifikimin në çerekfinale të këtij sezoni skuadrës së tij.
Këto dy paraqitje e kthyen përsëri debatin se cili është futbollisti më i mirë i të gjitha kohëve: Messi apo Ronaldo? Sipas Carragherit, epërsinë e ka argjentinasi i Barcelonës, ndërsa Ronaldon e konsideron golashënuesin më të mirë të të gjitha kohëve.

"Ronaldo dhe Messi, golashënuesi më i mirë i të gjitha kohëve dhe lojtari më i mirë i të gjitha kohëve, nuk treguan asnjë shenjë se po dorëzohen në garën evropiane. Paraqitjet e tyre individuale në mesjavë e dëshmuan se ata kanë aftësi dhe motivim të jashtëzakonshëm", ka thënë Carragher. /albeu.com/
Shtuar më 16/03/2019, ora 23:55
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori