"Përballë Realit do të kemi mundësitë tona"
Pëlqej
Shpresat e Sevillias për të synuar fitimin e Superkupës së Europës do të varen padyshim te Carlos Bacca. Pas largimit të kapitenit Ivan Rakitiç për te Barcelona, të gjithë tifozët e klubit andaluzian i kanë hedhur sytë nga sulmuesi kolumbian i cili i shënoi dy herë Real Madrid në takimin e fundit që dy skuadrat zhvilluan në La Liga.

I pyetur për ndeshjen kundër "Los Blancos", pavarësisht vështirësisë që paraqet kundërshtari, Bacca theksoi se Sevilla do të kërkojë të fitojë një tjetër trofe pas Europa League.

"Është një ndeshje finale, është një takim i vetëm, gjithçka mund të ndodhë. Ne po përgatitemi në mënyrën më të mirë për atë sfidë. E dimë që do të kemi shanset tona pasi përballë Realit i kemi patur edhe në të shkuarën. Të gjithë në skuadër jemi shumë entuziastë se mund të fitojmë një tjetër trofe. Nuk do të jetë aspak e lehtë për ne pasi kundër do të kemi Real Madrid, një rival shumë i frikshëm por edhe një nga skuadrat më të mira të Botës. Ata kanë në përbërje shumë futbollistë të mëdhenj, por në këtë aspekt edhe ne nuk qëndrojmë pas. Nëse shfrytëzojmë në maksimum shanset që do të na jepen besoj se mund ta fitojmë Superkupën e Europës pasi ashtu si Reali edhe ne kemi bërë shumë punë për të arritur deri në këtë pikë", shprehet Bacca.

Në Cardiff të Uellsit, Bacca do të ketë si kundërshtar shokun e tij në kombëtare James Rodriguez, që u transferua te madrilenët këtë verë për 80 milionë euro. Por 27-vjeçari edhe pse deklaroi se i uron më të mirat Jamesit në aventurën e tij të re, bëri të ditur se në ndeshjen Superkupës ai do të përpiqet ta mundë atë.

"Jam takuar shpesh me Jamesin, por nuk kemi folur për Superkupën. Nuk mendoj se është momenti për ta bërë diçka të tillë pasi ai sheh nga ekipi i tij dhe unë nga imi. Shpresoj të ketë një karrierë sa më brilante me fanellën e Realit, megjithatë në Cardif unë dëshiroj ta mposht atë. Pepe dhe Ramos? Ata janë dy mbrojtësa shumë të mirë por kjo nuk do të thotë se unë i kam frikë ata", përfundoi kolumbiani i Sevillas. /albeu.com/
Shtuar më 10/08/2014, ora 12:48
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori