“Përballja ndaj Zvicrës do jetë vendimtare për ecurinë në Euro 2016”
Kanë mbetur edhe dy javë deri te fillimi i Kampionatit Evropian, Francë 2016. Shqipëria ndodhet në grupin A së bashku me Francën, Rumaninë e Zvicrën, e me këtë të fundit nis Evropianin kur përballen me 11 qershor.

Anësori i Kombëtares shqiptare, Odise Roshi, në një konferencë për media, ka deklaruar se është shumë e rëndësishme që të marrin tri pikë në ndeshjen e parë, që sipas tij, do t’ia siguronte Kombëtares kualifikimin në fazën tjetër.

“Kemi 3 ndeshje të vështira. Ajo me Zvicrën do të jetë më e rëndësishmja pasi po morëm 3 pikët në atë sfidë kemi shanse të mira për të kaluar më tej”, u shpreh Roshi.

“Në çdo stërvitje duhet të japim 100%, normale që emocione do të kemi sepse tashmë e kemi realizuar ëndrrën, e kemi prekur me dorë. Po stërvitemi mirë dhe do të japim maksimumin në miqësoret ndaj Katarit dhe Ukrainës përpara ndeshjes ndaj Zvicrës”, deklaroi më tej Roshi.

“Unë do të isha i kënaqur me 6 pikë por edhe me 4 pikë besoj se e kalojmë grupin. Duhet të kesh harmoni në ekip. Unë përpiqem shumë që të kemi harmoninë e duhur në ekip dhe më pëlqen të bëj humor. Ai që qesh më pak është Shehi. Orgesi qesh por është serioz”, tha mes tjerash anësori i Kombëtares shqiptare. /Albeu.com/
Shtuar më 27/05/2016, ora 14:54
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori