Perez-Ronaldo, samit për rinovimin
Presidenti i Real Madrid, Florentino Perez nis punën për t’i dhënë zgjidhje nyjes së rinovimit të kontratës së Cristiano Ronaldos. Kreu i klubit mbretëror dhe agjenti i lojtarit do të ulen në tavolinë menjëherë pas përfundimit të sezonit, por sipas gazetës "AS", shoqëria nuk i ka bërë ende asnjë ofertë sulmuesit portugez. Pavarësisht kësaj, agjenti Jorge Mendez konfirmon nisjen e bisedimeve çka është një hap pozitiv drejt zgjatjes së bashkëpunimit që aktualisht skadon në vitin 2015.

Ky mund të rezultojë një operacion mjaft i komplikuar për Perez, i cili nuk duhet të harrojë pakënqësitë e shprehura nga numri 7 gjatë sezonit edhe pse situata në dhomat e zhveshjes ka ndryshuar, ndërsa tifozët po gazojnë një tjetër muaj mjalti me lojtarin luzitan.

Nga ana tjetër, Cristiano Ronaldo po shihet përditë e më shumë si lider i padiskutueshëm i skuadrës madrilene dhe drejtuesit merengues as që mund ta imagjinojnë një Real pa portugezin në fushën e lojës. Lidershipin e tij e kanë pranuar edhe kolegët në skuadër, të cilët i kanë besuar çelësat e dhomave të zhveshjes.

Ronaldo mund të rezultojë vendimtar edhe në çështjen e zgjedhjeve për presidencën e ardhshme të shoqërisë sepse një rinovim i mundhshëm do të rriste në maksimum shanset për rizgjedhjen e Florentino Perez.

Gjithsesi, rruga mbetet ende e gjatë sepse drejtuesi i lartë madrilen duhet ta përkedhelë liderin e skuadrës jo vetëm me një pagë më të majme por edhe me dashurinë e klubit dhe tifozëve.

Në fund të fundit, Cristiano Ronaldo luan në klubin më të madh në planet dhe do të duhej shumë pak për ta bindur të vazhdonte aventurën në Madrid ku ëndërron të shkruajë historinë e klubit me trofeun e 10-të të Champions League. /albeu.com/
Shtuar më 20/02/2013, ora 12:16
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori