Performanca, Shqiperia e 28-a ne Evrope
Pëlqej
Albeu.com
Shqipëria rezulton mes Kombëtareve të suksesshme sa i përket progresit të bërë në lidhje me performancën e mirë gjatë 2008-ës, pasi këtë herë renditet në një pozicion më të kënaqshëm në krahasim me vitet e tjera.
Kriteri i kësaj renditjeje, të botuar në faqen sportive portugeze në internet “Maisfutebol.iol.pt”, është bërë në bazë të përllogaritjes së përqindjes së pikëve në krahasim me pikët maksimale të mundshme për të gjitha ndeshjet e luajtura gjatë 2008-ës.

Duke parë rezultatet e të 53 skuadrave evropiane në këtë vit, Kombëtarja jonë është pozicionuar e 28-a me 50% të pikëve në shtatë ndeshje, ku ka shënuar dy fitore, tre barazime dhe dy humbje.

Tabela pa dyshim është dominuar nga Spanja e vendit të parë me 97% në 15 ndeshje pa asnjë humbje (14-1-0). Pas saj, vjen Anglia e dyta dhe Holanda e treta.

Grupi 1

Një fakt shumë i kënaqshëm për skuadrën shqiptare është se ka lënë pas saj dy nga kundërshtarët e mëdhenj në grupin 1 të eliminatoreve të Botërorit 2010: Portugalia dhe Suedia kanë pasur një ecuri më të keqe se Kombëtarja jonë për sa i përket rendimentit në vitin 2008.

Portugalia ka arritur të marrë vetëm 46% të pikëve në 13 ndeshje gjatë kësaj periudhe dhe renditet e 29-a (pesë fitore, dy barazime dhe gjashtë humbje).

Edhe më keq ka shkuar për suedezët, të cilët renditen të 35-ët me 39% të pikëve të koleksionuara nga 14 ndeshje të zhvilluar në hapësirën e këtij viti.

Suedia ka arritur vetëm katër fitore, tre barazime dhe një humbje. Një pozicion të mirë ka Hungaria: e 14-a me 60% të pikëve në dhjetë ndeshje (4-4-2).

Jo keq për Danimarkën, që pozicionohet e 22-a me 56% të pikëve në nëntë ndeshje (3-4-2). Poshtë vetes kemi lënë edhe kundërshtarin e fundit në grupin 1, Maltën, e cila rezulton me një rendiment prej 18% të pikëve në 11 ndeshje (2-0-9).

Renditja e FIFA-s

Por krejt ndryshe figuron Shqipëria në renditjen e përmuajshme që publikon organi më i lartë i futbollit në botë, FIFA. Sipas renditjes së fundit, të bërë të njohur më 12 nëntor 2008, përfaqësuesja jonë shihet e pozicionuar e 86-a (410 pikë) mes Kombëtareve të së gjithë botës anëtare të FIFA-s.

Po bazuar në këtë renditje, sa i përket Kombëtareve evropiane, Shqipëria pozicionohet e 38, ku i duhet të ngushëllohet se pas saj renditen vende si Austria, Gjeorgjia, Qipro, Mali i Zi, Kazakistani, Luksemburgu, San Marino, Estonia, Azerbajxhani, Malta, Andorra etj.

Ky vlerësim bëhet në bazë të kritereve të tjera. Ndërsa nëse do të merrnim në konsideratë një vlerësim në bazë të kriterit: rendimenti i pikëve për ndeshje, ashtu si ai i botuar në median portugeze, Shqipëria do të mund t’i afrohej vendit të 70, mes 100 të parëve të renditjes së FIFA-s.
Shtuar më 27/11/2008, ora 18:56
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori