Perfundimisht shuhet Bashkimi nga Kumanova!
Albeu.com
Drejtuesit e Bashkimit në ditën e fundit të skadimit të afatit me shkresë kanë njoftuar FFM-në se për shkak të probleme ekonomike në sezonin e ardhshëm 2008/2009 nuk do të bëjnë gara në asnjë rang.nga Bekri AJDINI
Të shuash një klub të madh të futbollit siç ishte Bashkimi, është njëlloj sikur t’ua marrish zemrën atyre mijërave tifozëve të zjarrtë. Atyre tifozëve, që gjaku tani më u ishte bërë “zigjelbër”, atyre të cilët sakrifikuan gjithçka nga vetvetja për ta ndjekur ekipin në çdo hap ku shkonin futbollistët e tyre. Tifozëve që me barkun e uritur blinin një biletë për të duartrokitur dhe mbështetur nga shkallët e stadiumit djelmoshat që i ngritën emrin Kumanovës, ata që për herë të parë në historikun e Maqedonisë dërguan një trofe në këtë qytet. Të fitosh Kupën e Maqedonisë, të kalosh një tur në Kupën UEFA si klub shqiptar, nuk ishte aspak e lehtë. Këtë po e ndjejnë shumë presidentë të klubeve tjera, që me gjithë kapacitetin e tyre organizativ e financiar vështirë e kanë të ulen në fronin e “mbretërve”.
Sidoqoftë, kujtimet dhe meritat e këtij klubi me traditë 60 vjeçare, nuk shuhen lehtë, pasi për ato do të flasë vetë historia. Bashkimi u rezistoi shumë qarqeve anti-shqiptare, shumë politikave fashizoide, pasi emri shqip i tij, “Bashikimi” u tingëllonte vrazhdët, por në fund nuk ia doli dot.
Nuk arriti të mbijetojë në një kohë kur milionerëve shqiptarë paratë u sillen vërdallë nëpër tavolinat e bixhozit, kur komunat i udhëheqin shqiptarët, kur shumë drejtor me kravata i kemi nëpër ndërmarrje publike...
E kush e mbyti “Bashkimin”, kur në sezonin e kaluar mbijetoi falë shpirtit të pastër, luftarak e heroik? Si gjithmonë, arsyeja është PARAJA.
Por, a vetëm Bashkimi nuk pat para! Po cili klub në Maqedoni kishte para për t’i sfiduar futbollit të shtrenjtë? Të paktë janë ata që me xhepa të mbushur luajnë futboll në Maqedoni dhe të shumtë ata që pa marrë asnjë lek i sfiduan kohës. Por ama, ata e kishin zemrën e madhe. Ata i dolën në ndihmë vëllait të vet në momentin më të vështirë. Dolën burra te ata, që nuk lejuan të shuhet një emër siç ishte Vardari dhe klube të tjera. E ne, ku jemi dhe si jemi ne? A nuk kishte alternativë tjetër?
Rinia e Kumanovës garën e fillonte pikërisht te klubi i Bashkimit. Aty dihej kush është më i forti. Juniorët e kësaj shkolle futbolli fituan shumë medalje të rëndësishme, duke mposhtur edhe skuadra nga Brazili. Gjëma e talenteve kumanovar u dëgjua në gjithë Maqedoninë, rekordet e para në futbollin tonë i shënuan pikërisht djelmoshat që stërviteshin pranë “Bahçeve”...
Për Bashkimin nuk do të ketë kush ta shterë zërin e tij, nuk do të ketë fytyra të lyera “zigjelbër”, nuk do të ketë gazetarë që do të raportojnë për golat e mrekullueshëm, nuk do të ketë trofe të reja në vitrinat e Bashkimit, nuk do të ketë shumë momente tjera.
Qoftë e kaluar kriza që ka kapluar futbollin shqiptarë! (Lajm)
Shtuar më 04/08/2008, ora 06:42
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori