Pioli krenar me Milanin e tij: Çfarë shpirti; ju tregoj çelësin e këtij suksesi
Përqafuar me ekipin dhe më pas drejt lakores bosh të “San Siro” për të festuar në mënyrë simbolike me tifozët.

Kështu përfundon viti 2020 i Stefano Piolit, i cili me Milanin e tij e mbyll vitin në vendin e parë, +1 pikë nga Interi.

“Kur fitoni një ndeshje kaq të komplikuar dhe të rëndësishme, kundër një ekipi të fortë, është e drejtë të festojmë të gjithë së bashku, – tha trajneri kuqezi pas 3-2 në frymën e fundit kundër Lazio. – Unë jam shumë i kënaqur dhe krenar. Ekipi po bën diçka vërtet të rëndësishme”.

Kënaqësia, gjithashtu vjen nga ruajtja e epërsisë, përkundër mungesës së Ibrahimovicit të dëmtuar: “Që një kampion si Ibra mund të mungojë, ose që ne të jemi më të fortë me të në fushë, është e vërtetë. Sidoqoftë, jemi duke shfrytëzuar karakteristikat e të gjithë ekipit. Lazio mori zotërimin dhe ky është faji im, por gjithashtu duhet t’i japim meritën kundërshtarit, që na ka krijuar vështirësi. Ndryshimin e bëri shpirti dhe dëshira jonë, sepse gjithmonë përpiqemi të fitojmë deri në fund”.

Për ata që e pyesin se cili e ka meritën kryesore për Milanin e vitit 2020, trajneri përgjigjet: “Klubi, që na ka vendosur në kushte për të punuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Unë pres konfirmimin nga viti 2021, e kemi ngritur nivelin, por nuk jemi akoma në maksimum. Shpresoj ta kem të gjithë skuadrën në dispozicion sa më shpejt të jetë e mundur. Sonte kërkova një përpjekje të madhe nga djemtë, ata kanë një shpirt të madh, ndaj jemi të lumtur t’u japim kënaqësi tifozëve tanë.

Përforcimet në merkato? Zona teknike e di nëse do të ketë mundësi, do të përpiqemi ta përmirësojmë këtë grup, por jam i kënaqur me ata që kam në dispozicion. Ne jemi të parët në Serie A dhe të kualifikuar në “Europa League”, objektivat janë arritur deri më tani”.

Në fund, një koment mbi rinovimin e Calhanoglu: “Ibrahimovic kishte vullnetin për të qëndruar, unë besoj se vullneti i Calha është gjithashtu i njëjti. Pastaj ka një negociatë në proces, shpresoj se mund të vazhdojmë bashkë në këtë rrugë”.
Shtuar më 24/12/2020, ora 09:00
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori