Pioli: Nga televizori ndeshja duket ndryshe
Pas 18 ditësh në izolim për shkak të koronavirusit, Stefano Pioli ka rezultuar negative në tamponin e fundit dhe është rikthyer të drejtojë stërvitjet e Milanit, ndërsa sonte do të ulet në pankinë për ndeshjen e kuqezinjve ndaj Celtic në Europa League.

Në konferencën e zakonshme për shtyp trajneri kuqezi tregoi përvojën e tij me koronavirusin, punën nga shtëpia dhe mbi të gjitha progresin e skuadrës gjatë kësaj kohe, teksa nuk ka harruar të falënderojë Bonerën dhe futbollistët për punën e bërë.

Beteja me koronavirusin…
Kanë qenë 18 ditë shumë të vështira pa futboll, por për fat të mirë unë e kalova pa pasoja. Kur mësova se jam negative, nuk arrija dot të fle, pasi mezi prisja të drejtoja stërvitjen. Falënderoj drejtuesit e klubit që më krijuan kushtet në kohë rekord për të punuar nga shtëpia, duke shfrytëzuar teknologjinë, lojtarët për angazhimin, por edhe Bonerën për punën e mirë të bërë në pankinë.

Skuadra është përmirësuar në fazën e menaxhimit të ndeshjes…
Që në fillim e kam thënë që ne nuk do të rreshtim së provuari të kontrollojmë ndeshjen. Kur kemi topin në këmbë, jemi gjithmonë më të sigurt, por duhet të dimë edhe të vuajmë si grup, për të shkuar te rezultatet pozitive.

Çfarë defektesh vinit re te skuadra, duke e parë nga televizori?
Në fakt kam mirëkuptuar kritikat e atyre që shohin ndeshjet nga televizori, pasi situate të caktuara duken të papranueshme kur i sheh në ekran, por duken më se normale, kur e sheh ndeshjen në anë të fushës. Nga televizori ke një pamje nga lart dhe normalisht që isha disi më nervoz teksa shihja ndeshjet, por për fat skuadra ka luajtur mirë.

A do të ketë rotacion në formacion nesër?
Kemi një kalendar shumë të ngjeshur dhe vetëm si grup mund t’ia dalim ta përballojmë me sukses. Ndryshimi i formacionit nga ndeshja në ndeshej, është e vetmja mënyrë për të menaxhuar forcat dhe natyrisht që edhe sot do të shohim, pasi bëhet fjalë për një përballje të rëndësishme.

Si është gjendja e të dëmtuarve?
Bennacer dhe Castillejo janë rikuperuar plotësisht dhe do të jenë gati për ndeshjen e sotme. Situatën e Ibrës dhe Leaos po e monitorojmë nga dita në ditë, por vështirë se do të jenë gati edhe për fundjavën.
Shtuar më 03/12/2020, ora 11:27
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori