"Pitbulli" Abrashi: Pa shiun nuk fitonim ndaj Maqedonisë
Amir Abrashi ka dhënë një intervistë të gjatë për faqen zyrtare të klubit gjerman, Freiburg ku foli për ndeshjet e Shqipërisë, ecurinë në kualifikueset e Botërorit 2018, formën që po kalon te Freiburg-u si dhe objektivat me klubin e Bundesligës gjermane.
26-vjeçari nuk pati rast të ndeshet në fushë me Andres Injestën, të cilin e konsideron si një ndër mesfushorët më të mirë që ka parë ndonjëherë.

“Luajta vetëm pjesën e parë kundër Lihtenshtejnit, ndërsa me Spanjën nuk u aktivizova fare. Megjithatë mora shumë nga ajo ndeshje, pasi pashë nga afër cilësitë e Iniestës. Është e mahnitshme ta shohësh teksa luan kaq çlirët, ai bën përherë gjënë e duhur. Mendoj se ai është një ndër mesfushorët më të mirë që kam parë”, u shpreh Abrashi.

Disfata 2-0 kundër spanjollëve në Shkodër i zbriti kuqzinjtë nga vendi i parë në të tretin në Grupin G për eliminatoret e Kupës së Botës “Rusi 2018”. 26-vjeçari shtatshkurtër është i ndërgjegjshëm se misioni është i vështirë, por Shqipëria do t’i luajë mundësitë e veta.

“E dimë që është një grup shumë i vështirë. Megjithatë është e rëndësishme që morëm gjashtë pikë në dy ndeshjet e para ndaj Maqedonisë dhe Lihtenshtejnit. Spanja e ka dëshmuar se është praktikisht e pamundur të thyhet. Tani ne duhet të mundim Izraelin në ndeshjen e radhës, dhe më pas të shohim ç’mund të bëjmë me Italinë”, theksoi lojtari i lindur në Zvicër.

Duke u ndalur veçanërisht te suksesi 2-1 kundër Maqedonisë në shtator, i arritur në dy ditë, ish-futbollisti i Grasshopper-it u shpreh:

”Ishte ndeshje e çuditshme, por që për ne rezultoi e mbarë. Mendoj se në natën e parë nuk do të kishim fituar dot. Të nesërmen ishte situatë paksa komike të riktheheshe në fushë për të luajtur vetëm 15 minuta. Megjithatë, rëndësi ka që fituam dhe kënaqëm ata tifozë që ishin në stadium. Ishte e mrekullueshme”.


Shtuar më 12/10/2016, ora 16:34
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori