Platini: Trukimet po shkatërrojnë futbollin
Presidenti i UEFA-s, Michel Platini ka theksuar se “fair play” financiar është shumë I rëndësishëm, pasi “sistemi europian i futbollit i ka shndërruar disa klube në kazino gjigande”.

Gjatë konferencës së Këshillit të Europës për Ministrat e Sportit që u zhvillua në Beograd, Platini kujtoi se “në vitin 2010 kishte mbi 1,6 miliardë euro humbje. Duhet ta drejtojmë futbollin drejt disiplinës financiare. ‘Fair play’ financiar është i domosdoshëm”.

Ai theksoi edhe se “ekipet Kombëtare të futbollit po përjetojnë kohë të vështira, për shkak të ngurimit të disa klubeve për të punuar me të rinjtë dhe që ti sigurojnë lojtarë për të ardhmen”.

Numri një i UEFA-s ka kërkuar edhe hartimin e një ligji ndërkombëtar, që i trajton trukimet e ndeshjeve si krim. “Në shtator ju fola për të keqen që po shkatërron një prej vlerave më të mëdha të sportit, ose më saktë faktin që rezultati është i pasigurt deri në fund. E kam fjalën për trukimet”, nënvijëzoi Platini.

Ai shtoi: “Pas ndeshjeve të manipuluara fshihen rrjetet e organizuara kriminale. Trukimet nuk mund të zgjidhen vetëm me ndëshkime sportive, por Europa duhet të bashkëpunojë për ti dhënë fund këtij problemi dhe i kërkoj shteteve anëtare që trukimet të trajtohen si shkelje penale”.

Megjithatë, sipas spekulimeve të para, Këshilli i Europës pritet të mos e pranojë kërkesën e Platinisë, por do të përcaktojë masat që autoritetet kombëtare duhet të marrin, që ligjet ekzistuese të aplikohen edhe në sport. /albeu.com/
Shtuar më 16/03/2012, ora 14:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori