Po "fundos" Tottenhamin, Murinjo shpërthen ndaj VAR
Zhoze Murinjo duket që nuk e pranon lehtë humbjen dhe ajo në Kupën FA ku skuadra e tij u dorëzua me penallti përballë Noruiç, nuk është kapërdirë edhe aq lehtë nga tekniku portugez.

Në konferencën e sotme për shtyp, ai ka argumentuar se heroizmi i Tim Krul i cili priti penalltitë e të tijve, në fakt nuk ishte i tillë.

“Kjo ishte një ndeshje me një arbitrim të mirë, e vetmja gjë që nuk ka funksionuar, përtej incidentit në fund të ndeshjes me Dajer, ishte se kur shkuam te penalltitë, asistentin e linjës dhe atë të VAR i zuri gjumi. Nëse nuk do t’i kishte zënë gjumi, do ta kishin kuptuar se çdo penallti e pritur nga Krul duhej të përsëritej, por ishte shumë vonë dhe i kishte zënë gjumi”, tha Murinjo para gazetarëve.

Me eliminimin edhe nga Kupa FA, tani Murinjos i mbetet vetëm të luftojë për një vend në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm dhe të tentojë të përmbysë atë humbje përballë Lajpcig në arenën ndërkombëtare me shpresën që mund të kalojë skuadrën mes 8 më të mirave.
Shtuar më 06/03/2020, ora 20:04
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori