Pogba drejt Realit, Man.United kërkon një tjetër mesfushor në këmbim
Zërat për një largim të Paul Pogba nga Manchester United po shtohen gjithmonë e më shumë dhe destinacioni më i mundshëm i mesfushorit francez duket se është Reali i Madridit, atje ku e pret krahëhapur Zinedine Zidane.

Edhe trajneri i Manchester United, Ole Gunnar Solskjaer e ka pranuar se nuk ka asnjë të pazëvendësueshëm te "djajtë e kuq", duke i hapur udhë largimit të mesfushorit francez në verë, kjo edhe për faktin se Pogba po refuzon të rinovojë kontratën me klubin anglez.

Drejtuesit e "djajve të kuq" kanë nisur njëkohësisht të punojnë për të gjetur pasardhësin e Pogba dhe emri që kanë vënë në krye të listës është pikërisht mesfushori uruguaian Federico Valverde, i cili luan te Reali i Madridit.

Futbollisti 22-vjeçar numëron 89 paraqitje me fanellën e Los Blancos dhe ka shënuar edhe 5 gola, ndërsa në disa prej këtyre ndeshjeve është monitoruar me kujdes edhe nga drejtuesit e Manchester United, që e shohin si lojtarin ideal për skemat e Solskjaer.

Kartoni i Valverdes vlerësohet rreth 50 milionë euro dhe te Reali i Madridit janë të gatshëm të hyjnë në negociata, pasi kështu mund të ulin edhe pretendimet e anglezëve për kartonin e Paul Pogba. Ndërkohë në Angli janë të bindur se marrëveshja e shkëmbimit mund të arrihet me kalimin e Pogba në Madrid dhe Valverde e 50 milionë euro në Manchester.
Shtuar më 17/02/2021, ora 10:33
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori