Polemika rreth ndeshjes Lazio - Inter
Albeu.com
Polemikat kanë kapur kulmin në Itali, pas fitores 2-0 të Interit kundër një Lazios së demotivuar dhe që për asnjë moment nuk tentoi të luante futboll të vërtetë. Drejtues e tifozë të skuadrës së Romës, por edhe të klubeve të tjera italiane, e kanë quajtur të turpshme ...... ndeshjen e zhvilluar nga skuadra bardhekaltër. “Pas asaj që pamë, ta quash kampionatin tonë më të bukurin në botë është paradoks”, ka deklaruar presidentja e Romës Rosela Sensi. “Nëse do të isha në vend të Interit do të më vinte turp të fitoja në këtë mënyrë”, ka polemizuar ajo. Ndërkohë drejtori i përgjithshëm i Romës Xhan Paolo Montali ka deklaruar se ndeshja Lacio-Inter ishte një nga faqet më të shëmtuara në historinë e futbollit italian. “Nuk e kisha menduar kurrë se do të shihja me sytë e mi një shfaqje të tillë. Interi nuk ka faj në këtë histori, pasi edhe për ta duhet të ketë qenë e sikletshme të fitonin kështu”, deklaroi Montali. Por, nuk kanë qenë këto akuzat e vetme. Në radiot e kryeqytetit italian ka patur një bum telefonatash nga tifozët, të cilët kanë kërkuar nga skuadra që të fitojë të mërkurën, në finalen e Kupës së Italisë. Po ashtu, në facebook ka lindur një grup që kërkon hartimin e një peticioni kundrejt Federatës, e cila duhet të hetojë ndeshjen dhe në bazë të Drejtësisë Sportive, të dërgojë Lacion në Serinë B. Ndërkohë, ka ardhur edhe reagimi i shpejtë i presidentit të Interit Masimo Morati. “Ne nuk kemi lidhje fare në këtë histori, këto janë probleme që i takojnë Lacios dhe Romës, kështu që nuk ka pse të na vijë turp neve të Interit”, deklaroi Morati. Ndeshja mes Lacios dhe Interit përfundoi 2-0 për skuadrën e Maurinhos, e cila u ngjit në krye të Serisë A, duke lënë pas Romën. Në stadium të gjithë tifozët kanë qenë me Interin, përfshi ata të Lazios, të cilët nuk kanë dashur që titulli kampion t’u shkonte rivalëve të qytetit. Më 5 maj 2002, Lazio i mposhti 4-2 zikaltërit, duke iu hequr titullin kampion që më pas i shkoi Juventusit. Por, kur bëhet fjalë për Romën, gjërat janë ndryshe në kryeqytetin e Italisë.
Shtuar më 04/05/2010, ora 02:17
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori