Policët grekë kundër Maguire: Gënjen sa herë që hap gojën
Mbrojtësi anglez i Manchester United Harry Maguire i përfshi në telashe disa ditë më parë në ishullin e njohur grek Mikonos, pasi u arrestua nga polica vendase si i përfshirë në një sherr me disa persona të tjerë.

Pas dy ditësh nën arrest, anglezi u lirua me kusht dhe procesi gjyqësor ndaj tij vijoi në gjendje të lirë, ndërsa aktualisht avokatët e mbrojtësit anglez kanë apeluar dënimin e dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë.

Vetë Maguire, në një intervistë të dhënë për prestigjozen britanike BBC, rrëfen se u përplas me disa djem shqiptarë, të cilët i kishin injektuar drogë me shiringë motrës së tij 20-vjeçare, ndërsa shtoi se policët grekë kishin uniforma që nuk dalloheshin si të tillë dhe kishte menduar se ishin rrëmbyes.

Por në një tjetër dëshmi kanë qenë vetë policët grekë që kanë sqaruar çfarë ndodhi atë mbrëmje në Mikonos dhe kanë kërkuar që mbrojtësi anglez të mos vazhdojë me gënjeshtrat, por të kërkojë ndjesë për sjelljen e tij.

"Ne ishim 8 policë dhe uniformat tona janë lehtësisht të dallueshme. Maguire ishte i dehur atë natë dhe ne e trajtuam si çdo anglez tjetër i dehur në ishull. Gjatë gjithë kohës ai na kujtonte se ishte Harry Maguire dhe asnjëherë nuk foli për shqiptarë apo për injeksione ndaj motrës së tij. Sa herë që ai hap gojën, gënjen. Ai ishte thjesht një djalë i dehur, i përfshirë në një sherr dhe ne e toleruam shumë madje", shprehen oficerët e policisë për ngjarjen e ndodhur në Mikonos.

Edhe prokurori i çështjes, Ioannis Paradissis, në një deklaratë për mediat angleze i bëri thirrje mbrojtësit të Manchester United që të ndalë sajesat dhe t’u kërkojë ndjesë oficerëve të policisë e opinionit publik, për shfaqjen e turpshme.
Shtuar më 31/08/2020, ora 11:16
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori